Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Cernobbio të Italisë në forumin “Intelligence on the World, Europe and Italy”, në panelin “Agjenda për Europën”. Diskutimi u përqendrua te roli i Mesdheut dhe sfidat e reja që përballen Europa dhe bota. Rama theksoi nevojën që Europa të forcojë autonominë në sektorët strategjikë, veçanërisht për lëndët e para kritike, dhe nënvizoi se përfshirja e Ballkanit Perëndimor në këtë proces mund të ndryshojë ndjeshëm situatën. “Europa nuk arrin autonominë e vet në lëndët e para kritike brenda kufijve të vet dhe në kuadrin kohor. Nëse Ballkani Perëndimor nuk do të përfshihet për të na futur brenda, situata mund të ndryshojë”, u shpreh ai.
Kryeministri përmendi potencialin e Shqipërisë për burimet natyrore, duke theksuar rezervat e bakrit dhe duke bërë thirrje për më shumë investime europiane në vend. “Shqipëria ka një rezervë të madhe bakri dhe po zbrazim Kinën që Europa të vijë”, tha Rama. Ai përdori edhe një ton humoristik për të ilustruar pozicionin e Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke u shprehur se shqiptarët janë “talebanët perëndimorë”, pasi vendi nuk ka marrëdhënie me Rusinë. “Jemi i vetmi vend në botë që nuk kemi pasur asnjë autoritet rus të na vizitojë dhe as nuk na merr malli. Jemi i vetmi vend në Europë që nuk ka një investim të mirëfilltë dhe nuk na mungon”, deklaroi ai, duke e shoqëruar këtë pjesë me batutën: “Po merr Putini në telefon”.
Rama foli gjithashtu për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke vënë në dukje se vetë BE-ja duhet të ndryshojë mënyrën e funksionimit të saj për të hapur vende për vendet e Ballkanit Perëndimor. “Unë nuk besoj se do të ketë ndonjëherë vend për ne në BE nëse diçka nuk do të ndryshojë në BE. Nuk besoj se 2027 do të na presë lumturisht me kompetencën e vetos, me kompetencën tonë”, tha kryeministri. Sipas tij, integrimi gradual është rruga më e përshtatshme për afrimin me BE-në, duke nisur nga bashkëpunimi konkret dhe tregu i përbashkët: “Integrimi gradual është mënyra e vetme për të na futur brenda në BE dhe për ta nisur nga pjesa reale, që është tregu i përbashkët”.

