Punonjësja e Bashkisë Dibër, e cila u bë virale në rrjetet sociale pas një deklarate gjatë një dëgjeje publike për Reformën Territoriale, u shpreh se pendohet për mënyrën se si u shpreh dhe reagoi në një intervistë në emisionin “Shqipëria Live”. Ajo deklaroi se komenti i saj, që shkaktoi reagime të shumta online, nuk pasqyronte atë që përshkruheshin në komentet e përdoruesve dhe se është penduar për fjalët e thëna gjatë dëgjesës.
Shqipe Jovani tha se sulmet dhe ofendimet në rrjetet sociale e kanë prekur thellë, duke potencuar veçanërisht shqetësimin që kanë shkaktuar pasojat te familja e saj. Siç u shpreh vetë: “Komentet më kanë mërzitur aq shumë, sepse nuk jam ajo që përshkruajnë komentet. U mërzita jashtë mase shumë. Jam një kryefamiljare, zonjë e nderuar në zonën time”. Ajo theksoi se fjalët dhe akuzat që qarkulluan në rrjet kanë depërtuar deri te fëmijët e saj, gjë që e ka tronditur ndjeshëm.
Duke iu përgjigjur pyetjes nëse konsiderohet patronazhiste, Jovani sqaroi angazhimin e saj politik duke deklaruar se është anëtare e Partisë Socialiste që nga viti 1991, që kur udhëhiqej nga Fatos Nano. Ajo shprehu indinjatën se mënyra e ofendimeve ka prekur fëmijët e saj dhe se kurrë më parë nuk është ndjerë e ofenduar në atë mënyrë. Në të njëjtën kohë, Jovani mbrojti punën e institucioneve, duke thënë se kryetari i qeverisë dhe bashkitë kanë bërë punë dhe se nuk ka arsye që të mos pranohet se kjo qeveri ka punuar: “Jam anëtare e PS-së që në vitin 1991, që kur ka qenë Fatos Nano. Mënyra se si më kanë ofenduar ka prekur fëmijët e mi. Kurrë në jetën time nuk jam ofenduar në këtë mënyrë. Kryetari i qeverisë dhe bashkitë kanë bërë punë. S’ka pse të mos e pranojnë që kjo qeveri ka punuar”.
Lajmi u transmetua nga Top Channel.

