Janë përcjellë për në banesën e fundit Bleona Çelaj, 24 vjeçe, dhe dy fëmijët e saj të mitur, 1 dhe 3 vjeç, të cilët humbën jetën pasi zjarri përfshiu banesën e tyre në fshatin Domen të Postribës. Ngjarja ndodhi disa ditë pasi familja kishte ardhur nga Gjermania, ku jetonte dhe ishte e pajisur me dokumente qëndrimi, për të kaluar pushimet në Shqipëri.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave. Trupat e pajetë janë nënshtruar ekzaminimeve mjeko-ligjore, ndërsa në vendngjarje janë gjetur mbetje të një bombole gazi, e cila dyshohet se mund të ketë shkaktuar shpërthimin. Sipas hetimeve paraprake, ngjarja dyshohet të ketë qenë aksidentale.
Në hetimin preliminar janë marrë edhe deklaratat e familjarëve. Nëna e 24-vjeçares, e cila ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike, ka deklaruar para grupit hetimor se vajza nuk kishte marrëdhënie të mira me bashkëshortin kohët e fundit. Bashkëshorti i viktimës ka dëshmuar se në momentin kur ka rënë zjarri ndodhej në një dyqan, rreth 20 minuta larg në këmbë nga banesa, në qendër të fshatit, ku kishte shkuar për të blerë disa gjëra për familjen.
Hetuesit po konsiderojnë edhe rrethanat e vendndodhjes së banesës. Sipas hetimeve, banesa ndodhej në një zonë të izoluar, pa shtëpi të tjera pranë, çka bëri që zjarri të konstatohej me vonesë. Terreni i vështirë malor dhe mungesa e një njoftimi të menjëhershëm janë shënuar si faktorë që ndikuan në pasojat tragjike të ngjarjes.
Hetimi vazhdon për të verifikuar shkakun e zjarrit dhe për të sqaruar çdo detaj të ngjarjes, ndërkohë që autoritetet po presin rezultatet e ekspertizave mjeko-ligjore dhe teknike lidhur me bombolën e gjetur në vendngjarje. Top Channel.

