Një turist amerikan 46-vjeçar ka humbur jetën pas një konflikti fizik me një ish-sportist të arteve marciale mikse (MMA) në ambientet e një hoteli në Bangkok. Ngjarja ndodhi mëngjesin e së dielës, më 22 nëntor, në zonën Phra Khanong, pasi viktima u përfshi më parë në një debat me punonjësit e hotelit për shkak të zhurmës.
Viktima, i identifikuar si Kalif Edward Harper, nga shteti i Miçiganit, kishte debatuar me recepsionisten dhe dyshohet se e kishte kërcënuar atë. Në hollin e hotelit mbërriti një shtetas italian 39-vjeçar, Frank Eric Marques, i njohur si ish-sportist MMA dhe kampion në Brazilian Jiu-Jitsu. Sipas hetimeve paraprake dhe pamjeve të kamerave të sigurisë, amerikanin iu drejtua italianit ndërsa ky po shkonte drejt ashensorit. Megjithëse italiani tentoi të largohej, situata u përshkallëzua kur Harper hapi me forcë dyert e ashensorit dhe tërhoqi italianin jashtë.
Filloi një përleshje fizike, gjatë së cilës italiani përdori një teknikë bllokimi të qafës, duke e neutralizuar 46-vjeçarin. Harper humbi ndjenjat dhe ra në tokë. Punonjësit e hotelit njoftuan shërbimet e urgjencës; ekipet mjekësore kryen reanimimin kardiopulmonar në vendngjarje, por pa sukses, dhe turistii amerikan ndërroi jetë në vend.
Pas ngjarjes, 39-vjeçari italian priti mbërritjen e policisë dhe u shoqërua nga autoritetet tajlandeze. Ai ka deklaruar se ka vepruar në vetëmbrojtje, pasi ishte sulmuar fillimisht nga amerikanin. Pamjet e kamerave të sigurisë duken të tregojnë që Harper ishte ai që nisi përplasjen fizike, por autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar nëse reagimi i italianit përbën vetëmbrojtje.
Policia e Bangkokut e ka ndaluar 39-vjeçarin dhe ka nisur procedimin penal për vrasje. Ekspertët mjekoligjorë po kryejnë ekzaminimet për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes. Autoritetet tajlandeze janë në kontakt me Ambasadën Amerikane për njoftimin e familjarëve të viktimës dhe për ndjekjen e procedurave përkatëse. Hetimet për ngjarjen vazhdojnë dhe pretendimi i të dyshuarit për vetëmbrojtje mbetet për t’u vlerësuar nga drejtësia tajlandeze.

