TIRANË- Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur komenteve mëngjesin e sotëm në rubrikën ‘Sy më sy’. Një prej komentuesve e ka pyetur në lidhje me marrjen e demokratëve, që sipas tij është duke bërë, duke iu referuar rastit të FRPD-së në Vlorë. Rama iu përgjigj komentuesit duke thënë se ata nuk u bënë socialistë, por janë pozicionuar për të dhënë mesazhin për arsyet e tyre dhe do të bëjnë fushatën e tyre jo me PS por më vete.
“Nuk i mora. Bëhet fjalë për një grup shumë interesant dhe pozitiv vajzash e djemsh të FRPD Vlorë dhe për dikë që ishte zv kryetare e FRPD në shkallë kombëtare. Ka krijuar një impakt. Ata nuk u bënë socialistë, por janë pozicionuar për të dhënë mesazhin për arsyet e tyre.
Ata do të bëjnë fushatën e tyre jo me PS por më vete. Do të mbështesin mua dhe PS si rrjedhojë, por duke e kërkuar votën e demokratëve dhe të të tjerëve për të mos humbur asnjë minutë në rrugën e anëtarësimit dhe për të marrë pasaportën europiane për Shqipërinë. Ja pse u bënë me mua në këtë betejë. Nëse rrugët do të na qëndrojnë të bashkuar pas kësaj kjo mbetet për t’u parë,” tha Rama.