Nga Gert Çarçani
Kemi bërë qametin, por mos e rruani: më e mira do të bëhet dhe do të vijë!
Kështu garantoi sot ministri Gonxhja dhe zëvendësministri i linjës, në lidhje me bllokimin dhe ndërprerjen e financave totale për sportin, rrjedhojë e rrëzimit të plotë, pa kriter e pa shkak, të aktit normativ për një sërë federatash sportive në vend.
Natyrisht, në daljen e sotme publike vëmendjen e mori tjetër gjë dhe, në fund, pas një politike ministrore mbi turizmin, bulevardin dhe flamingot, mbeti edhe një copëz kohe për sportin. Në një konferencë shtypi të njoftuar në extremis, si për të thënë se nuk duam njeri nëpër këmbë, ministri dhe zëvendësministri vrapuan të listojnë aktet heroike për sportin në këto kohëra, natyrisht me para të taksapaguesve.
E vetmja gjë që gëlltitej sadopak ishte premtimi që, mbase brenda këtij viti, shkon në Parlament projektligji për sponsorizimin. Vonesa, që sipas ministrit lidhet me burokracinë europiane, si grup ligjesh që duhen përshtatur me legjislacionin e BE-së, por edhe me paketën fiskale në vend, e cila në tetor futet në Parlament. Sidoqoftë, le ta marrim si një premtim që kërkon kohën e vet.
“Janë dhënë para te FSHF-ja për Europianin U-21”, tha zëvendësministri, pa bërë aspak transparente se fondi i kërkuar së fundmi nuk u mor fare në konsideratë. Dhe arsyen e këtij refuzimi shqiptarët dhe familja e futbollit sot nuk e dëgjuan.
“Janë dhënë para”, tha sërish zëvendësministri për projektin “Ekipet Sportive në Shkolla”, por sërish iu referua aktit normativ të vjetër, pa bërë aspak transparencë për këtë të riun, i cili nuk u mor fare në konsideratë.
Duke qenë se pyetjet për sportin munguan, po rendisim disa të tilla, aspak në depresion, por me një bindje kokëfortë se faktet dhe perceptimet, këtë radhë, janë bërë bashkë, për sa kohë ministri dhe zëvendësministri i linjës nuk e prekën në asnjë moment rrëzimin e aktit normativ.
E nëse munden, a mund të marrim disa përgjigje shteruese, si produkt i transparencës mbi menaxhimin e fondeve publike?
- A është e vërtetë, zoti ministër, që qeveria ku ju bëni pjesë nuk e mori aspak në konsideratë aktin normativ të çuar nga ju për alokimin e fondeve shtesë për disa prej federatave sportive?
- Kur e dinit që ky akt do të rrëzohej, pse e dërguat deri lart në qeveri?
- Rrëzimi i këtij akti normativ a quhet një arritje historike e sportit dhe a përfshihet në bilancin e përpjekjeve faraonike që administrata juaj ka bërë për sportin?
- A është e vërtetë që shteti, në aktin e rrëzuar, i ka mohuar FSHF-së fondin e kërkuar prej 3 milionë eurosh për Kampionatin Europian U-21, që do të zhvillohet në Shqipëri dhe Serbi, me qëllim rritjen e standardeve të infrastrukturës? Dhe pse?
- A është e vërtetë, zëvendësministër, që në aktin normativ të rrëzuar qeveria shqiptare i ka refuzuar FSHF-së kërkesën prej 400 milionë lekësh për organizimin e Samitit Botëror të Futbollit në Tiranë? Dhe pse?
- A është e vërtetë, zëvendësministër, që në këtë akt normativ të refuzuar dhe të pabërë publik edhe sot, ju nuk keni përfshirë financimin për sezonin e ri të projektit “Ekipet Sportive në Shkolla”, projekt i vetë kryeministrit Rama për volejbollin dhe basketbollin në shkolla? Dhe pse nuk e përfshitë këtë?
- A është e vërtetë, zoti ministër, që në aktin normativ të rrëzuar nuk keni planifikuar fondin e kërkuar nga KOKSH për Lojërat Mesdhetare të Tarantos, tani në gusht, për 150 sportistë pjesëmarrës, për dy javë grumbullim dhe shpenzime udhëtimi?
- A është e vërtetë, zoti ministër, që në aktin normativ të rrëzuar qeveria u mohoi federatave të mundjes, peshëngritjes, volejbollit dhe skive fondet që ato kërkonin për eventet ndërkombëtare të realizuara dhe ato në proces realizimi? Dhe pse shteti refuzoi t’ua jepte këto fonde?
- A është e vërtetë, zoti ministër, që me aktin normativ të rrëzuar qeveria mohoi financimin e mbulimit të shpenzimeve të Europianit SOCA 2026, që solli një numër të madh të huajsh, ndërkohë që për padelin u dhanë 2.2 milionë euro? Shtuar këtu edhe premtimin tuaj direkt për një financim prej vetëm 30 milionë lekësh të reja për këtë event.
- A është e vërtetë, zoti ministër, që buxheti i 26 federatave sportive (pa futbollin) është rreth 1.55 milionë euro në total, ndërsa për padelin u financuan 2.2 milionë euro?
- A keni bërë ju, zoti ministër, transparencë për publikun se si u menaxhuan këto 2.2 milionë euro para publike për padelin? Ku shkuan, kur dolën nga Thesari i Shtetit, në çfarë llogarie, kush i përdori, kush i prokuroi dhe si u shpenzuan ato para? A bëtë qoftë edhe një sekondë transparencë bazike për këto para të taksapaguesve shqiptarë? E dini pse them “nuk e di”? Sepse ju kurrë nuk bëtë transparencë publike për këtë gjë.
- A i keni paguar ju, zoti ministër, sportistët medalistë, pasi në aktin normativ të rrëzuar ishte parashikuar edhe fondi prej 40 milionë lekësh të reja pikërisht për ta?
- A mund të thoni ju, zoti ministër, se ky akt normativ u rrëzua sepse nuk ka më para, apo sepse nuk doni të investoni më në sport?
- A mund ta saktësoni përfundimisht nëse projekti i kryeministrit Rama për “Ekipet Sportive në Shkolla”, i financuar deri tani nga qeveria, do të vazhdojë? Sot zëvendësministri juaj specifikoi se do të shtohen edhe disa disiplina të tjera, ndërkohë që Ministria e Financave ka dërguar shkresë zyrtare në KOKSH se nuk ka më fonde.
- A do ta bëni ju, zoti ministër, transparent dhe publik projektin “Durrës Football Academy” dhe si do të shpenzohen 1.1 milionë eurot e parave publike të shqiptarëve? Si te padeli? Deri tani askush nuk di asgjë për këtë.
- A është zëvendësministri i Sporteve, Endri Hoxha, drejtues ekzekutiv i projektit në fjalë, apo jo?
- A i keni ndërprerë ju, zoti ministër, marrëdhëniet me KOKSH-in dhe federatat sportive, ndërsa zëvendësministri Hoxha, i propozuar dikur nga Fidel Ylli për këtë detyrë, i ka shpallur së fundmi luftë të hapur KOKSH-it?
Ishin vetëm 17 pyetje që, në fakt, meritojnë një përgjigje, për efekt transparence dhe asgjë tjetër. Sepse ky është perceptimi kokëfortë dhe, njëkohësisht, fakti kokëfortë aktual mbi qasjen e “dashurisë” për të prerë damarët mes shtetit dhe sportit.
Pak më shumë transparencë, që nesër sportin të mos e keni në shesh, e pse jo, edhe me vezë në duar.
Thjesht, transparencë. Asgjë më shumë.
Bëjeni, i nderuar ministër! Është pa kosto. Nuk duhet akt normativ për këtë. Duhet thjesht vullnet për të vërtetën. Sepse e vërteta dhemb, por kur paratë janë publike, dhemb pak më shumë.

