Në Vilën e Kuqe në Tiranë, për më shumë se dy orë, drejtues politikë të Partisë Socialiste dhe ministrat raportuan para kryesocialistit Edi Rama mbi nisjen e iniciativës “Prania Besnike”, e cila është zhvilluar të premten e kaluar. Kryeministri publikoi një videokronikë nga mbledhja dhe njoftoi se takimet e tilla do të jenë tani javore me drejtuesit politikë dhe ministrat për raportimet dhe detyrat lidhur me “Praninë Besnike”.
Rama theksoi mënyrën e zhvillimit të takimeve me qytetarët dhe nevojën që ata të ndihen të qetë kur paraqesin problematikat e tyre. Ai u shpreh se “Njerëzit nuk janë aty as për t’u shfaqur në televizor ose në Instagram, madje as duke u identifikuar fare që ishin aty. Kjo i ndihmon të gjithë që të ndihen të qetë kur të vijnë të qajnë një hall.”
Ulsi Manja, drejtues politik i qarkut Dibër, ndau me të pranishmit një kërkesë që i kishte bërë një qytetar, duke cituar fjalët e tij: “Njëri ma tha shqip, më tha se besoj se kjo që do të shkruash ti, ky halli im do të shkojë te tavolina e Edi Ramës.”
Blendi Klosi, Sekretar i Përgjithshëm i PS dhe drejtues politik i qarkut Durrës, vuri në dukje rolin e teknologjisë në realizimin e “Pranisë Besnike”. Ai deklaroi se shfrytëzimi i një sistemi elektronik lehtëson përpunimin e kërkesave, duke thënë: “Kemi një sistem që sapo të hidhet kërkesa, ta vëmë përpara për t’i dhënë zgjidhje. AI na jep mundësinë që sapo të hidhet problemi të gjenerohet e-mail, që ngarkohet me referenca ligjore.”
Drejtuesi politik i Shkodrës, Enea Karakaçi, njoftoi se pjesa kryesore e ankesave lidhet me legalizimet, duke veçuar problemet me ndërtime të para vitit 1991. Ermal Nufi raportoi se në Lezhë ankesat kryesore të qytetarëve lidhen me OSHEE-në dhe me infrastrukturën rrugore, kryesisht rrugë dhe ura.
Lajmi buron nga Top Channel.

