Partia Socialiste dhe Partia Demokratike finalizuan të mërkurën, më 20 maj, një marrëveshje për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit. Relatorët e të dyja palëve përfunduan draftin e përbashkët, i cili pritet të miratohet zyrtarisht nesër në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren në orën 09:00.
Marrëveshja parashikon lëshime nga të dyja palët: mazhoranca tërhoqi disa propozime që kufizonin kohën e debateve dhe ndryshonin mënyrën e raportimit nga institucionet, ndërsa opozita arriti të forcojë mekanizmat e kontrollit parlamentar.
Nga ana e Partisë Socialiste u tërhoq propozimi që kërkonte që projektligjet e kërkuara nga Bashkimi Europian të shqyrtoheshin brenda një jave me procedurë të përshpejtuar. Gjithashtu u hoq propozimi për përgjysmimin e kohës së diskutimit në seancë plenare. Mazhoranca pranoi që të gjitha institucionet me detyrë kushtetuese të raportojnë në Kuvend, duke hequr propozimin që parashikonte raportimin vetëm në Komisionin Xhafaj. U vendos gjithashtu që raportimet vjetore të bëhen në komisionet përkatëse sipas fushës së veprimtarisë së secilit institucion.
Nga ana e Partisë Demokratike u pranua që kryetari i Kuvendit të detyrohet t’i kërkojë institucioneve përgjigje brenda 5 ditëve dhe të ketë mundësinë të kërkojë masa disiplinore deri në shkarkim në rast mosreagimi. Kryetarët e komisioneve detyrohen të thërrasin mbledhje ose seanca dëgjimore brenda dy ditëve nga kërkesa e pakicës parlamentare. U vendos që seanca plenare mund të ndërpritet në orën 22:00 dhe të rifillojë ditën pasardhëse me kërkesë të kryetarit të grupit parlamentar.
Po ashtu, masat disiplinore do të pezullohen automatikisht nëse ankimohen në Byronë e Kuvendit dhe periudha e llogaritjes së tyre do të bëhet me ditë kalendarike, jo me ditë pune.

