Mbrëmjen e djeshme, pas një tubimi paqësor në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, protesta mori një karakter agresiv pas marshimit drejt komisariatit numër 3. Një numër i konsiderueshëm protestuesish u grumbulluan përpara këtij institucioni të Policisë së Shtetit, pasi aty ndodhen disa nga të arrestuarit pas incidenteve që ndodhën të enjten para dhe gjatë seancës plenare në Kuvend.
Gjatë qëndrimit para komisariatit, disa protestues, një pjesë të të cilëve të maskuar, sulmuan dhe vandalizuan ambientet e jashtme dhe të brendshme të komisariatit, duke thyer xhamat dhe orenditë në holl. Fillimisht dhjetëra protestues u vendosën te dera e komisariatit, ku ndodheshin tre efektivë që përpiqeshin të negocionin përmes xhamit, duke bërë thirrje që turma të zmbrapsej. Këto thirrje nuk dhanë efekt, pasi një grup i maskuar mori iniciativën dhe nisi shkatërrimin e institucionit: u thyen së pari xhamat e jashtëm, më pas protestuesit hynë brenda dhe shkatërruan sende të tjera që gjetën përpara.
Një nga efektivet e pranishme u lëndua në dorë gjatë incidentit dhe u dërgua në spital për trajtim mjekësor. Pas aktit të shkatërrimit, policia ndërhyri me makinën e ujit dhe me forca të shumta, dhe situata u qetësua shpejt. Janë nisur hetime për identifikimin e protestuesve të dhunshëm, dhe priten arrestime të tjera.
Ngjarja vijon të hetohet për të përcaktuar personat përgjegjës për sulmet ndaj komisariatit dhe për dëmet materiale të shkaktuara. Në përmbyllje të ndërhyrjes së policisë, autoritetet po procedojnë me veprimet e nevojshme operative dhe proceduriale për zbardhjen e incidentit dhe ndjekjen penale të autorëve të dhunës.
