Gjykata e Tiranës ka caktuar masat e sigurisë për 51 persona të arrestuar lidhur me protestat dhe përplasjet e ditëve të fundit në kryeqytet. Sipas vendimit të shpallur në mëngjesin e sotëm, 11 persona janë lënë në “Arrest në burg”, 5 në “Arrest në shtëpi”, 25 me “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe për 10 të tjerë është caktuar masa “Ndalimi dhe detyrimi i qëndrimit në një vend të caktuar”. Personave të fundit u është ndaluar të afrohen brenda 500 metrave nga institucionet publike dhe të qëndrojnë në sheshe e mjedise ku zhvillohen tubime ose manifestime pa autorizimin e Gjykatës.
Gjykata urdhëroi gjithashtu lirimin e menjëhershëm nga paraburgimi për 40 persona, nëse nuk mbahen të arrestuar, ndaluar apo të izoluar për një çështje tjetër penale. Masat e sigurisë u morën për akuza që lidhen me ngjarjet gjatë protestave të ditëve të fundit.
Nga 11 personat e lënë në “Arrest në burg”, pesë – Z.M., E.B., J.P., L.B. dhe S.F. – dyshohen për “Shkatërrim të pronës” dhe “Kundërshtimin e punonjësit të policisë së rendit publik”. R.D. përballet me katër akuza: “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Vjedhja” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. N.T. dhe B.M. dyshohen për “Pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Kundërshtimin e punonjësit të policisë së rendit publik”. Tre të tjerë, G.S., A.A. dhe E.Sh., akuzohen për “Shkatërrimi i pronës”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Goditja për shkak të detyrës”.
Pesë personat e vendosur në “Arrest në shtëpi” janë K.B., E.Z., A.Çe., A.Ça. dhe K.B. Nga këta, dy dyshohen për “Shkatërrimi i pronës” dhe “Kundërshtimin e punonjësit të policisë së rendit publik”, ndërsa tre të tjerë për “Shkatërrimi i pronës”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Goditja për shkak të detyrës”.
Masat e sigurisë dhe ndërtimi i akuzave lidhen drejtëpërdrejt me ngjarjet dhe veprimet gjatë protestave të zhvilluara së fundmi në Tiranë.

