Franca po përballet me një valë të fortë trazirash, dhe qeveria po shqyrton masa të reja për të frenuar dhunën dhe rikthyer sigurinë në qytetet e prekura. Kryeministri Sébastien Lecornu tha se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme mbetet një mundësi nëse situata e kërkon, por si zgjidhje më të përshtatshme në rrethanat aktuale ai përmendi vendosjen e shtetrrethimeve lokale. Lecornu i ka kërkuar autoriteteve rajonale të shqyrtojnë kufizime lëvizjeje në zona të caktuara, veçanërisht për të mbrojtur bizneset nga grabitjet dhe vandalizmi.
Autoritetet njoftuan se trazirat e fundjavës kanë prekur të paktën 3,000 biznese; qeveria ka parashikuar një fond të posaçëm mbështetës dhe masa të tjera për të përballuar dëmet. Kryeministri përpiqej të qetësonte opinionin publik duke theksuar se dhuna nuk është përhapur në të gjithë territorin, por është përqendruar kryesisht në disa qendra urbane.
Në mes të krizës, ministri i Brendshëm Laurent Nuñez paraqiti dorëheqjen, duke argumentuar se policia kishte humbur kontrollin në disa qytete gjatë fundjavës. Presidenti Emmanuel Macron nuk e pranoi dorëheqjen. Nuñez njoftoi se një sërë masash për të parandaluar grabitjet dhe vandalizmin do të hynin në fuqi që të hënën në mbrëmje dhe paralelisht do të rritet prania e efektivëve të policisë dhe xhandarmërisë në terren.
Trazirat e fundjavës vijnë pas disa javësh demonstratash studentore ku kërkohen kushte më të mira në shkolla; përshkallëzimi i dhunës ka shtuar presionin mbi qeverinë në një periudhë kur vendi po afrohet tek zgjedhja e pasuesit të presidentit Macron. Lecornu akuzoi lëvizjen e së majtës ekstreme se po përpiqet të nxisë trazira të thella para zgjedhjeve të ardhshme.
Autoritetet po përgatiten të shtojnë masat e sigurisë dhe të përcaktojnë zonat ku do të zbatohen kufizimet e lëvizjes, ndërsa qeveria synon të kombinojë masa sigurie me ndihmë ekonomike për bizneset e dëmtuara.

