Ministria e Shëndetësisë publikoi bilancin e personave që morën kujdes mjekësor pas protestës së zhvilluar një ditë më parë në Tiranë, ku u regjistruan përplasje mes protestuesve dhe Policisë. Sipas njoftimit zyrtar, në total 89 persona u trajtuan në Spitalin Universitar të Traumës dhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), përfshirë efektivë policie dhe protestues, ndërsa disa prej tyre vazhdojnë të jenë të shtruar.
Nga informacioni i marrë nga dy spitale rezulton se në Spitalin Universitar të Traumës morën kujdes mjekësor 79 persona, prej të cilëve 61 ishin efektivë të Policisë dhe 18 protestues. Aktualisht në këtë spital qëndrojnë të shtruar 4 efektivë policie dhe 2 protestues, të cilët do të vazhdojnë nën kujdesin e ekipit mjekësor. Të tjerët kanë marrë mjekimin e nevojshëm dhe janë larguar pas marrjes së kujdesit mjekësor dhe sipas këshillave të mjekut.
Në QSUT u trajtuan 10 pacientë në shërbimet e Urgjencës Polivalente, Djegie-Plastikës dhe Okulistikës. Pas vlerësimit dhe trajtimit të nevojshëm mjekësor, të gjithë këta pacientë janë larguar nga spitali me rekomandimin e mjekëve. Aktualisht nuk ka persona të lënduar që vijojnë të marrin kujdes shëndetësor në QSUT.
Njoftimi gjithashtu sqaron se në Spitalin Universitar të Traumës pritet t’u nënshtrohen ndërhyrjes mjekësore një protestues dhe dy efektivë policie, të cilët janë koshient dhe në gjendje të mirë shëndetësore. Ministria thekson se rastet e trajtuara përfshijnë si efektivë policie, ashtu edhe protestues, dhe se shërbimet mjekësore kanë ofruar trajtimin e nevojshëm dhe këshillimet pasues për ata që janë larguar nga institucionet shëndetësore. Top Channel.

