Teksa në të gjitha qytetet që preken nga reforma e re territoriale kanë nisur protesta kundërshtuese, Partia Socialiste i ka dërguar bashkive projektligjin për ndarjen e re administrative të njësive të qeverisjes vendore. Në shkresën e dërguar kërkohet që kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë të paraqesin mendimin e tyre lidhur me propozimin, duke argumentuar qëndrimin kundër ose duke paraqitur alternativa. Bashkitë kanë 60 ditë kohë nga marrja e kërkesës për të organizuar dëgjesa me qytetarët për informimin dhe konsultimin me ta.
Projektligji propozon formimin e 46 bashkive dhe 12 qarqeve, të organizuara në skemën bashki–qytet, ku bashkia do të përbëhet nga qytetet, ndërsa qyteti nga njësitë administrative dhe fshatrat. Kjo strukturë parashikohet të shërbejë si njësi funksionale e planifikimit, përfaqësimit dhe organizimit të shërbimeve. Struktura e plotë e 46 bashkive përbëhet nga 71 qytete dhe 387 njësi administrative, dhe 20 bashki kanë më shumë se një qytet.
Nga konsolidimet e propozuara, dy janë trepalëshe: Bashkia e Beratit do të përfshijë qytetet Berat, Dimal dhe Poliçan, ndërsa Bashkia e Elbasanit do të përfshijë qytetet Elbasan, Cërrik dhe Belsh. Sa i takon qarqeve, Vlora rikthehet si qarku me numrin më të madh të bashkive, me 6 të tilla; Korça pason me 5 bashki; Elbasani, Gjirokastra, Shkodra dhe Tirana me 4 bashki secili; ndërsa qarqet Berat, Dibër, Durrës, Kukës dhe Lezhë do të kenë nga 3 bashki.
Sipas Partisë Socialiste, territorit i është bërë vlerësim bazuar në tre indekse kryesore: indeksi i funksionalitetit të bashkive, indeksi i performancës ekonomike dhe indeksi i masës urbane. Pritet që kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë të argumentojnë përgjigjet e tyre ndaj projektligjit mbi bazën e këtyre kritereve. Partia Socialiste synon që zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të vitit 2027 të organizohen dhe zhvillohen mbi bazën e ndarjes së re territoriale.

