Deputeti Dashnor Sula ka propozuar një zgjidhje për situatën aktuale ku ndodhet Partia Demokratike, pas vendimit të mbrëmshëm të Gjykatë së Apelit Administrativ, e cila ktheu për rigjykim në Shkallën e Parë çështjen e vulës së PD, duke zhbërë vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri, i cili kishte pranuar ndryshimet në Statutin e Partisë Demokratike, të bëra në Kuvendin e 11 dhjetorit 2021.
Duke qenë se vula i mbeti Alibeajt, Sula propozon që kandidatët e dalë nga primaret e Berishës, të regjistrohen në KQZ për zgjedhjet e 14 Majit, vetëm me logon e PD-së, me ndonjë ndryshim emri aty ku mendohet se është më mirë.
Ai propozon më tej që pasi të jetë marrë ky vendim, pas zgjedhjeve të 14 Majit, PD të futet në zgjedhje dhe në strukturim të brendshëm, duke zgjedhur nga funksionarët më të thjeshtë, tek kryetarët e seksioneve dhe grupseksioneve, kryetarët e degëve, e deri tek kryetari i ri i PD-së.
Bashkimi i demokratëve, rruga e vetme dhe e duhura për gjithë Shqiptarët!
Vendimi aq shumë i stërzgjatur i Gjykatës së Apelit nuk është triumf për askënd nga ne demokratët. Nëse ne që jemi mandatuar për të përfaqësuar demokratët e thjeshtë nuk do dimë ta kthejmë këtë situatë në favorin tonë, atëherë vendimi i mbrëmshëm do favorizojë vetëm atë që është në pushtet tani.
Nuk ka asnjë arsye për revansh. E vetmja zgjidhje është BASHKIMI. Këtë nuk e bën asnjë forcë hyjnore, asnjë vendim gjykate por e bëjmë vetë ne duke vendosur interesin e demokratëve, e shqiptarëve para ndonjë interesi të ngushtë.
Kandidatët demokratë për zgjedhjet e 14 majit duhet të regjistrohen në KQZ, vetëm me logon e PD. Kandidatët e dalë nga “Primaret” me ndonjë korigjim për më mirë ku të jetë e mundur, duhet të futen në zgjedhje me logon e PD dhe si demokratë.
Këtë mllef ndaj qeverisë që përpos 1001 të zezave që i ka bërë ekonomikisht vendit, investohet vazhdimisht me çdo mënyrë të ligjshme e të jashligjshme të dëmtojë opozitën, duhet ta kthejmë në një energji të përqëndruar për tu përballur me mazhorancën aktuale. Këtë duhet ta bëjmë tani. Në zgjedhjet lokale duhet shkojmë të bashkuar.
Të bashkuar ne fitojmë shumicën e bashkive të vendit. Pasi të mundim mazhorancën, brenda 2-3 muajve futemi në zgjedhje dhe strukturim të brendshëm. Zgjedhim funksionarët nga më të thjeshtin, kryetar seksionesh,kryetar grupseksionesh,kryetar degesh deri te kryetarin e PDSH-së duke bërë një proces gjithëfshirës dhe duke i krijuar liri gjithësecilit që të ketë mundësi të kandidojë.
-Bashkimi i të gjitha rrymave brenda nes, në një lum të madh energjie kundra qeverisë aktuale është emergjencë kombëtare.
Sigurisht më pas zgjedhjet e brendshme nga “këmba te koka” janë domosdoshmëri jetike. Ta caktojnë të gjithë demomratët pa asnjë përjashtim se cilëtë do jenë përfaqësuesit në të gjitha strukturat e PD.















