Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë ka kërkuar sekuestrimin e pasurive të shtetasit Ilir Shehu, i njohur edhe si Ilir Pasholli, duke përfshirë tetë prona të paluajtshme, tetë automjete dhe disa subjekte tregtare farmaceutike, mes tyre “Medicamenta”, “Mega Store”, “Unipharma” dhe “Italialbania Pharma”. Shehu rezulton i dënuar në Itali dhe ndodhet nën hetim në Shqipëri për dyshime për kontrabandë të ilaçeve nga Italia.
Sipas hetimit pasuror nr. 23, Shehu dyshohet të ketë krijuar pasuri të pajustifikuara ekonomikisht përmes aktivitetit kriminal. Hetimet, të nisura mbi bazën e akteve të përcjella nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, tregojnë një skemë të dyshuar kontrabande farmaceutike përmes manipulimit të dokumentacionit doganor mes Italisë dhe Shqipërisë. Ilaçet bliheshin në Itali me fatura zyrtare ku deklaroheshin mbi 10 artikuj; në momentin e eksportit dokumentacioni italian pasqyronte vlerën dhe peshën reale, ndërsa në doganën shqiptare lista e artikujve shkurtohej, duke deklaruar vetëm katër ose pesë produkte. Pjesa tjetër dyshohet se futej në treg pa dokumentacion të rregullt dhe më pas legalizohej përmes një operatori tjetër, me qëllim fshehjen e origjinës.
Prokuroria evidenton gjithashtu se Shehu ka ngritur dy godina biznesi në Tiranë me kapital që dyshohet të jetë krijuar pas dënimit në Itali për trafik ndërkombëtar droge. Në dosje përmenden dënime të mëparshme të tij për veprat penale “Përfitim i mallrave të vjedhura”, “Pengmarrje” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”. Gjithashtu shënohet se aksioneri italian i Medicamenta rezulton i akuzuar për korrupsion në Itali.
Në kuadër të sekuestrimit janë përfshirë tetë prona në emër të I. Sh./I. P., një pronë në emër të “Mega Store”, gjashtë prona në emër të H.Sh., si dhe tetë automjete: Mercedes‑Benz GLE (2019), Skoda Kodiaq (2019), Volkswagen Jetta (2015), Volkswagen Caddy (2018), Volkswagen ID.3 (2024), Land Rover Defender dhe dy Peugeot (2018). Kërkesa për sekuestrim përfshin edhe subjektet tregtare të lidhura me shtetasin nën hetim.
Prokuroria po verifikon burimin e krijimit të pasurive dhe lidhjet e mundshme të tyre me aktivitetin kriminal, me qëllim dokumentimin e marrëdhënieve financiare dhe pasurore mes të pandehurit dhe subjekteve të përfshira.

