Prokuroria e Tiranës i ka dërguar sërish një shkresë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), duke kërkuar shpjegime për rrethanat e hetimit administrativ lidhur me helmimin e 56 kandidatëve në Akademinë e Policisë. Në dokument kërkohet qartësimi i asaj çfarë ka ndodhur gjatë procedurave të kryera nga AKU, pas vendimit të këtij institucioni për të bllokuar fillimisht aktivitetin e kompanisë Sori Al dhe më pas për ta zhbllokuar atë.
Burime të Anila Hoxhës bëjnë të ditur se grupi hetues ende nuk disponon të dhënat zyrtare që do t’i duhej t’i kishte deleguar AKU, ndërsa vetë ky institucion kishte njoftuar më parë se helmimi i studentëve ka ndodhur nga produkti Çoli. Ish-drejtori i AKU Tiranë është thirrur si deklarues dhe ka insistuar se institucionit i takonte kontrolli paraprak i subjektit privat në fjalë.
Prokuroria nuk ka arritur ende në një version përfundimtar mbi shkakun e helmimit; hetimet vijojnë nën drejtimin e prokurorit Bledar Valikaj. Për të avancuar hetimin, organi i akuzës ka sekuestruar 56 kartelat mjekësore të kandidatëve që shfaqën shqetësime shëndetësore dhe u trajtuan në spital. Burimet raportojnë se, për shkak të ritmit të shpejtë të hetimit, prokuroria ka ndërhyrë dhe i ka marrë në dorëzim kartelat e pacientëve si dhe librat e shërbimit nga Spitali Infektiv, duke i dërguar pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML) për ekspertizë dhe ruajtje të provave.
Çështja mbetet nën hetim penal ndërkohë që prokuroria pret dokumentacionin zyrtar dhe shpjegimet nga AKU për veprimet gjatë procedurave administrative, përfshirë arsyet e bllokimit dhe më pas zhbllokimit të aktivitetit të subjektit privat të përfshirë. Hetimi përqendrohet në përcaktimin e shkakut të helmimit dhe përgjegjësive eventuale, ndërsa deri tani nuk ka një konkluzion përfundimtar lidhur me origjinën e ngjarjes.

