Ka nga ata që luftojnë për të fituar një vend në Europë, ata që luftojnë për të qëndruar në Serie A, dhe pastaj është Interi, që këtë sezon fton tifozët të festojnë dopietën: Scudetto-n e 21-të dhe Kupën e 10-të të Italisë. Nesër do të jetë një ditë feste për tifozët Nerazzurri: nga San Siro deri në Duomo, një manifestim që nis në drekë dhe zgjat deri vonë në mbrëmje, duke ngjyrosur Milanon zi e blu.
Sipas njoftimit të klubit në faqen zyrtare www.inter.it, portat e San Siros do të hapen në orën 12:00 dhe tifozët inkurajohen të arrijnë sa më herët për shkak të pjesëmarrjes së madhe. Shfaqja speciale “Inter Live – 21 Herë Kampionë të Italisë” nis në orën 12:30. Në skenë, Daniele Battaglia dhe Elenoire Casalegno do t’u bashkohen 21 miq të Interit nga bota e muzikës, sportit dhe argëtimit. Pika kulmore e programit do të jetë performanca speciale e DJ Benny Benassi, së bashku me muzikë live, përmbajtje ekskluzive dhe angazhim të drejtpërdrejtë të publikut.
San Siro do të jetë qendra e festës, ku kënga, muzika dhe përfshirja kolektive do të dominojnë. Ekipi do të prezantojë Kupën e Italisë të fituar në Romë, duke u bëre pjesë e përqafimit me tifozët. Një koreografi madhështore në stadium do të mirëpresë kampionët në fushë në orën 15:00, përpara ndeshjes Inter – Hellas Verona. Në fund të ndeshjes, skuadra do të ngrejë Kupën e Scudettos para tifozëve, duke nisur zyrtarisht festimin. Të dy trofetë e fituar këtë sezon do të jenë po ashtu në ekspozitë gjatë ceremonisë, duke përfshirë tifozët në kulmin e një viti të jashtëzakonshëm.
Festimet nuk do të kufizohen në stadium: pas ceremonive, do të ketë paradë me autobusët e Nerazzurrëve që do të çojnë ekipin nëpër qytet. Çdo rrugë, shesh dhe pikë e itinerarit parashikohet të transformohet në një takim mes skuadrës dhe tifozëve. Festimi përfundon në Piazza del Duomo, ku ekipi do të shfaqet në tarracë për të festuar përkrah tifozëve të Interit.

