Një çift nga Flint Township, Miçigan, është akuzuar për vrasje të shkallës së dytë, abuzim ndaj fëmijës dhe torturë pas vdekjes së djalit të tyre 7-vjeçar. Prokuroria thotë se 40-vjeçari Damien O’Brien dhe bashkëshortja e tij, 41-vjeçarja Jessica O’Brien, e lanë djalin e tyre, Casper, të vuante nga neglizhenca ekstreme për një periudhë të gjatë. Fëmija ndërroi jetë më 4 nëntor 2025, pas dërgimit me urgjencë në spital; raporti mjekësor përcaktoi shkakun e vdekjes si kardiomiopati e dilatuar, një gjendje që çon në dështim të zemrës, ndërsa obeziteti morbid u konsiderua faktor kontribuues.
Casper ishte 127 centimetra i gjatë dhe peshonte 116 kilogramë në momentin e vdekjes, shifër shumë mbi normën për një fëmijë të moshës së tij. Prokurori i Qarkut Genesee, David Leyton, deklaroi se rasti përfaqëson një neglizhencë të jashtëzakonshme dhe të qëllimshme nga ana e prindërve dhe tha: “Ky fëmijë u përball me vuajtje mizore dhe ekstreme si pasojë e neglizhencës së prindërve të tij”.
Hetimet zbuluan se Casper nuk kishte ndjekur kurrë shkollën dhe ishte vizituar vetëm një herë nga një mjek gjatë jetës së tij, pavarësisht se familja kishte sigurim shëndetësor. Autoritetet gjetën gjithashtu se ai dhe motra e tij 5-vjeçare nuk ishin të regjistruar në sistemet shtetërore dhe nuk kishin qenë kurrë nën mbikëqyrjen e shërbimeve për mbrojtjen e fëmijëve. Sipas prokurorisë, mëngjesin që Casper vdiq prindërit thirrën veterinerin e tyre për të trajtuar qenin.
Policia përshkroi banesën e familjes si një shtëpi në gjendje të rëndë, me grumbullim të madh sendesh. Damien dhe Jessica O’Brien ndodhen në paraburgim pa të drejtë lirimi me kusht. Seanca e radhës gjyqësore është caktuar për më 2 korrik. Lajmi është raportuar nga Top Channel.

