Dy apartamente të konfiskuara janë rikthyer në shërbim të komunitetit si hapësirë sociale për gra, vajza viktima të dhunës dhe fëmijët e tyre, përmes Qendrës së Emergjencës të prezantuar sot në Tiranë. Qendra u realizua nga Qendra Shqiptare për Impakt Social (SICA), me mbështetjen e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) dhe The Nando & Elsa Peretti Foundation, në bashkëpunim me institucionet shtetërore përgjegjëse. AAPSK i dha SICA-s në huapërdorje dy apartamente të konfiskuara, të cilat janë vënë në funksion të strehimit emergjent dhe shërbimeve mbështetëse për viktimat e dhunës.
Kryeadministratorja e AAPSK, Risena Xhaja, vuri në dukje rëndësinë e përdorimit social të pasurive të konfiskuara, duke theksuar se “një pasuri e konfiskuar merr një vlerë të re kur vihet në shërbim të njerëzve që kanë më shumë nevojë për mbështetje.” Sipas saj, përmes këtij përdorimi, asetet që lidheshin me veprimtari të paligjshme kthehen në mjete solidariteti, mbrojtjeje dhe interes publik, duke sjellë ndikim të prekshëm për shoqërinë.
Projekti parashikon që rreth 140 gra, vajza dhe fëmijë të përfitojnë drejtpërdrejt nga shërbimet e qendrës. Qendra ofron strehim të menjëhershëm dhe të sigurt deri në 72 orë, si dhe mbështetje psikosociale, ndihmë ligjore dhe mjekësore, ndërhyrje në krizë dhe referim ndaj shërbimeve afatgjata për mbrojtje dhe riintegrim. Hapja e qendrës adreson një boshllëk në sistemin e mbrojtjes, pasi në Tiranë mungonte më parë një shërbim i dedikuar për strehimin emergjent 72-orësh të viktimave të dhunës dhe fëmijëve të tyre.
Në ceremoninë e lançimit morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Klodiana Spahiu, zvministren e Brendshme Silva Caka, Ambasadorin e Spanjës Gabriel Cremades Ventura, Përfaqësuesin e UNICEF në Shqipëri Murat Sahin, si dhe përfaqësues të ambasadave të Francës dhe Holandës dhe The Nando & Elsa Peretti Foundation. Nisma përfaqëson një shembull të përdorimit social të pasurive të konfiskuara, duke i shndërruar ato në hapësira që krijojnë vlerë sociale dhe mbështetje për njerëzit në nevojë.

