Presidenti i Hungarisë, Tamás Sulyok, ka pranuar të largohet nga detyra pas miratimit të një amendamenti kushtetues që i jep fund menjëherë mandatit të tij. Amendamenti u propozuar dhe miratua nga partia në pushtet Tisza e kryeministrit Péter Magyar, e cila argumenton se ekziston një “humbje serioze e besimit” të shoqërisë ndaj presidentit. Sulyok ishte zgjedhur në fillim të vitit 2024 nga ligjvënësit e partisë nacionaliste Fidesz të ish-kryeministrit Viktor Orbán.
Sulyok njoftoi se nuk kishte mundësi tjetër veçse të nënshkruante ndryshimin kushtetues dhe se respektonte detyrimin ligjor për të zbatuar vendimin. Si ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, ai paralajmëroi se reforma përbën një goditje ndaj sundimit të ligjit dhe e përshkroi amendamentin si një “pikë kthese në demokracinë kushtetuese të Hungarisë”, duke kritikuar largimin e një zyrtari të lartë në një mënyrë që, sipas tij, krijon një precedent negativ për ndarjen e pushteteve dhe vlerat demokratike.
Ndryshimi kushtetues pjesë e axhendës së qeverisë së re të Péter Magyar, që synon të çmontojë strukturat e krijuara gjatë qeverisjes së Viktor Orbán. Partia Tisza fitoi zgjedhjet e prillit dhe siguroi shumicën prej dy të tretash në parlament, gjë që i dha mundësinë të ndryshojë edhe ligjet themelore të vendit. Orbán ka kundërshtuar ashpër reformën, duke e cilësuar si një kërcënim për demokracinë dhe duke paralajmëruar se “Nëse kjo mund t’i bëhej presidentit, nesër askush nuk do të ishte i sigurt”.
Pas dorëheqjes së Sulyok, kryetarja e parlamentit, Ágnes Forstthoffer, pritet të marrë përkohësisht detyrën e presidentes deri në zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Reforma përfshin gjithashtu kufizime të reja për ligjvënësit, me një mandat maksimal prej 12 vitesh, dhe vendos një moshë pensioni 70-vjeçare për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Kjo masë prek drejtuesin aktual të kësaj gjykate, Péter Polt, i konsideruar aleat i Viktor Orbán. Péter Magyar akuzon prej kohësh Sulyok se nuk ka përfaqësuar unitetin kombëtar dhe se ka mbështetur interesat e qeverisë së mëparshme të Orbán-it.

