Presidenti Bajram Begaj zhvilloi një vizitë në Përmet, ku vlerësoi modelin zhvillimor që bashkon trashëgiminë kulturore e fetare, pasuritë natyrore dhe vlerat tradicionale. Fillimisht u takua me Kryetaren e Bashkisë, Alma Hoxha, dhe drejtuesit vendorë, ku u njoh me shtimin e numrit të turistëve dhe kthimin e të rinjve nga emigracioni që kanë nisur investime në zonë. Begaj përcolli falënderime për bashkëpunimin e biznesit me pushtetin vendor dhe qeverinë dhe vizitoi zonën historike të qytetit, ku pa nga afër rikonstruksionin e banesave tradicionale të kthyer në pika tërheqëse për turistët.
Pjesë e itinerarit ishin vizitat në sipërmarrjet e vogla familjare, hotele dhe punishte artizanale të prodhimit të verës dhe të glikosë. Presidenti vlerësoi investimin e emigrantëve që kanë sjellë në Përmet eksperiencat e marra në Perëndim dhe shprehu mirënjohje për ruajtjen e traditës në prodhimet bio që shiten brenda dhe jashtë vendit. Duke përgëzuar këta sipërmarrës, ai i cilësoi investimet e tyre si një mundësi të mirë për zhvillimin ekonomik dhe turizmin e qëndrueshëm në Përmet.
Gjatë vizitës në Inkubatorin e Përpunimit të Produkteve Bujqësore, Begaj e cilësoi qendrën si mbështetje për fermerët e zonës në grumbullimin, përpunimin dhe certifikimin e produkteve bio, si nismë e suksesshme për të ruajtur markën përmetare. Ai theksoi se nisma si ky inkubator meritojnë të promovohen, pasi nëpërmjet tyre ruhet e promovohet cilësia e produktit vendas.
Presidenti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të komunitetit me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, si dhe ruajtjen e traditave të hershme dhe zhvillimin përmes teknologjive bashkëkohore. Ai i kushtoi vëmendje edhe trashëgimisë kulturore dhe fetare, duke deklaruar: “Përmeti nuk është vetëm vendi i mikpritjes dhe bujarisë, por dhe vendi i besimit fetar dhe objekteve të lashta të kultit”. Begaj vizitoi Kishën e Shën Marisë në Leusë, një monument që tërheq turistë për arkitekturën bizantine dhe afresket e rralla.

