Operacionet për parandalimin dhe goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike vijojnë, ndërsa është finalizuar operacioni policor i koduar “Zonat”. Si rezultat i kontrolleve intensive dhe veprimeve hetimore të kryera nga strukturat e Policisë u godit një rast i shitjes së lëndëve narkotike, ku u arrestua në flagrancë një shtetas i dyshuar për furnizim dhe shpërndarje të kokainës.
Në pranga u vu K. C., 37 vjeç, banues në Tiranë, i kapur në rrugën “Skënderbej”. Nga hetimet rezulton se ai dyshohet të ketë furnizuar shtetas të tjerë me lëndë narkotike kokainë, të cilët më pas e shpërndanin në doza në zona të ndryshme të qytetit. Gjatë kontrollit fizik ndaj 37-vjeçarit, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan mbi 200 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, e cila u mor si provë materiale.
Operacioni dhe hetimet vazhdojnë me qëllim identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale lidhur me rastin janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

