Spektakli i humorit “Portokalli” rikthehet në Top Channel me sezonin e 46-të, duke sjellë në krye të skenës Agron Llakajn, i cili rikthehet si moderator dhe aktor me disa nga rolet e tij të njohura. Në lidhje me rikthimin, Llakaj deklaroi se ishte “kënaqësi e veçantë rikthimi im në Portokalli, në ekranin që e quaj shtëpia ime, por edhe për rikthimin te publiku, pasi nuk kisha dalë prej 2020”.
Në moderim ai shoqërohet nga Kiara Tito, e cila erdhi me një qasje tjetër ndaj publikut dhe tha se “energjia e mirë që kemi me njëri-tjetrin do të përcillet në ekran besoj. Jam shumë e lumtur që do të prezantoj me Agron Llakajn, që e kam ndjekur që e vogël”. Pas një pune përgatitore të gjatë, nata e premierës të premten ofroi një program të ngjeshur me surpriza, rikthime të personazheve pas vitesh dhe hyrje të karaktereve të reja.
Anëtarë të trupës theksuan përgjegjësinë për të sjellë një sezon më të fuqishëm. Erblin Bejko u shpreh: “Ndihemi me më shumë përgjegjësi për të sjellë një sezon akoma më të fuqishëm, ju premtoj që nuk do të zhgënjeheni”. Albano Bogdo, i cili do të jetë këtë sezon pjesë e trupës, tha se ishte përjetuar një nga mbrëmjet më emocionale të jetës së tij duke ardhur në Top Channel dhe “Portokalli”.
Forma e shfaqjeve përqendrohet në situata komike dhe satirë të kuruar, të frymëzuara nga aktualiteti dhe zhvillimet dinamike në vend e jo vetëm, që synojnë të shkaktojnë të qeshura dhe të nxisin reflektim te shikuesit. Siç shprehu aktori Gazmend Paja: “Aktualiteti është një nga armët tona, duhet të jemi koherent me ngjarjet që ndodhin, çdo rol është i freskët”.
Trupa e “Portokalli” është paraqitur e gatshme për një sezon që përshkruhet si i paharrueshëm, ku çdo shfaqje do të jetë e veçantë. Për publikun që ndjek emisionin live, momentet ekskluzive do të jenë të premten në orën 19:00, ndërsa teleshikuesit mund të ndjekin “Portokalli” çdo të diel në orën 21:00 në Top Channel.

