Tingujt e polifonisë shqiptare janë përdorur tërësisht në muzikën e filmit Odiseja. Verën e kaluar, kompozitori fitues i çmimit Oscar, Ludwig Göransson, erdhi në jug të Shqipërisë për të regjistruar grupe të polifonisë: grupin e Gjirokastrës, Djemtë e Delvinës dhe Fyejtë e Gramshit, dhe nisi bashkëpunimin me etnomuzikologun dhe kompozitorin Vasil Tole.
Prof. Dr. Vasil Tole thekson se ekspertiza e tij vërteton se kjo është një muzikë shumë e lashtë, “para feve, e kohëve homerike, madje edhe më herët se aq, e lidhur ngushtë me evoluimin e gjuhës shqipe”. Ai shpjegon se kultura e gjallë folklorike dhe muzika tradicionale e stimuluan shumë kompozitorin, i cili “ndërtoi një gjuhë për mua shumë origjinale”.
Tole tregon komunikimet e vazhdueshme dhe kërkesën e regjisorit Christopher Nolan që të mos përdorej orkestër simfonike, por të kërkohej një orientim drejt rrënjëve të muzikës, me elementë arkaikë. Sipas tij, Göransson gërmoi në arkeologjinë e muzikës shqiptare dhe u interesua për marrëdhëniet e zërave, funksionin e korit të isos dhe zërave solistikë.
Akademiku përmend përdorimin specifik të elementeve folklorike në muzikën e filmit: “Fyejtë e Gramshit janë përdorur për të panoramuar peizazhin kulturor të kohës. Grupi i Djemve të Delvinës, iso dhe marrëdhënia me hedhësin është përdorur në aspektet luftarake. Elementin e fyellit e ka përdorur për të vajtuar.”
Si pasojë, Tole vë re një interes në rritje të publikut botëror për kulturën shqiptare, por gjithashtu thekson mungesën e mbështetjes shtetërore për artistët që ruajnë traditat. Ai propozon që Ministria e Kulturës të krijojë një strukturë të posaçme pranë UNESCO-s për të ndjekur problematikat lidhur me ruajtjen e monumenteve dhe dukurive, dhe për mbrojtjen e artistëve që i promovojnë ato. Tole nënvizon se të tre grupet që u përdorën në muzikën e filmit nuk kanë përfituar ndihmë direkte nga shteti.
Isopolifonia në Hollywood, sipas akademikut, përbën një arritje homerike dhe konfirmim botëror të vlerave të jashtëzakonshme artistike dhe muzikore të popullit shqiptar.

