Policia Rrugore e Tiranës po kryen monitorim 24/7 me pajisje bashkëkohore për të garantuar sigurinë rrugore dhe për të normuar lëvizjen. Në kuadër të planeve të posaçme të masave, të ndërmarra javën e kaluar dhe gjatë fundjavës, fokusi ishte evidentimi dhe ndëshkimi i drejtuesve të mjeteve nën efektin e alkoolit, atyre që përdorin celularin dhe/ose nuk vendosin rripin e sigurimit ose kaskën mbrojtëse.
Si rezultat i monitorimit konstant u arrestuan/proceduan penalisht 32 shtetas, u bllokuan 48 mjete dhe u vendosën 13 522 masa administrative. Nga këto: 8 818 masa për ndalim dhe qëndrim të gabuar; 1 243 për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve; 602 për mosvendosjen e rripit të sigurimit; 487 për përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të mjetit; 66 për kalim të gabuar në karrexhatën e ngadalësimit; dhe 26 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.
Policia Rrugore kryen verifikime dhe kontrolle të përditshme ndaj mjeteve të transportit publik dhe atyre që transportojnë nxënës, me qëllim parandalimin dhe konstatimin e menjëhershëm të shkeljeve që mund të cenojnë sigurinë e pasagjerëve. Monitorimi zhvillohet si në terren, ashtu dhe në hapësirën digjitale, për rastet e bllokimit të lëvizjes në autostrada dhe akse me fluks të lartë, përfshirë kolona automjetesh që qarkullojnë për evente festive.
Pas publikimit të një videoje në rrjete sociale që shfaqte sjellje të kundërligjshme në autostradën “Tiranë-Durrës”, policia ndërmori masa të menjëhershme: u proceduan në gjendje të lirë tre persona për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, u sekuestruan automjetet që ata drejtonin dhe u vendosën masa administrative sipas kodit rrugor. Veprimet vijojnë për të nxjerrë para përgjegjësisë ligjore të gjithë autorët e kësaj sjelljeje që shkaktoi pengesa në qarkullim.
Kontrollet dhe monitorimet do të vijojnë në të gjitha akset urbane dhe interurbane, përfshirë kontrollin e përditshëm të mjeteve që transportojnë nxënës dhe autobusëve urbanë, me qëllim parandalimin e ngjarjeve rrugore me pasoja dhe evidentimin e shkeljeve. Policia Rrugore e Tiranës apelon që përdoruesit e rrugës të tregojnë kujdes maksimal dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit. Qytetarët ftohen të denoncojnë çdo shkelje në numrin pa pagesë 112.

