Strukturat e DVP Tiranë kanë proceduar penalisht 16 shtetas në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale lidhur me bllokimin e rrugëve në qytetin e Tiranës nga organizatorët dhe pjesëmarrësit në tubim. Të proceduarit janë: A. K., 46 vjeç; L. K., 33 vjeçe; A. Ll., 30 vjeçe; E. K., 32 vjeç; A. K., 30 vjeç; T. K., 24 vjeç; M. Y., 22 vjeç; Xh. D., 23 vjeç; S. T., 22 vjeç; I. Xh., 44 vjeç; E. Q., 41 vjeç; E. K., 23 vjeç; A. D., 21 vjeç; S. Gj., 33 vjeç; A. K., 30 vjeç; dhe E. L., 21 vjeç. Ata dyshohen për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.
Po punohet gjithashtu për shoqërimin e shtetasve E. Q. dhe M. C., të shpallur në kërkim policor. Nga veprimet e deritanishme rezulton se disa prej të proceduarve dyshohet se kanë nxitur, nëpërmjet thirrjeve, pjesëmarrësit që të vijonin tubimin përtej orarit të njoftuar nga organizatorët (18:00–22:00), duke mos respektuar perimetrin e përcaktuar për aktivitetin. Si pasojë është shkaktuar bllokim i qarkullimit të mjeteve dhe pengesë në lëvizje.
Sipas policisë, një pjesë e pjesëmarrësve u futën në zonën e fan-ave në sheshin “Skënderbej”, hapësirë e përshtatur për ndjekje të aktiviteteve sportive, ku prishën qetësinë publike dhe bënë thirrje qytetarëve që ndiqnin aktivitetin sportiv për t’u bashkuar me tubimin. Në vijim të hetimeve, po punohet për identifikimin dhe procedimin e personave të tjerë të përgjegjshëm.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme. Dy ditë më parë ishin referuar dhe ishte nisur procedimi penal për 19 shtetas të tjerë. Policia e Tiranës apelon tek organizatorët e tubimit që të respektojnë orarin, perimetrin dhe lëvizjen e përcaktuar, në mënyrë që të mos bllokohet lëvizja e lirë e qytetarëve dhe automjeteve jashtë perimetrit të njoftuar për zhvillimin e tubimit.

