Dy shtetas shqiptarë, Aleksandër Çela, 26 vjeç, dhe Denis Horeshka, 30 vjeç, janë dënuar me nga 32 muaj burg në Britaninë e Madhe pas zbulimit të një fabrike kanabisi në qendër të qytetit të Swansea-s. Autoritetet policore kryen një kontroll më 8 maj në një ndërtesë në zonën Strand, ku gjatë bastisjes gjetën dhe sekuestruan mbi 900 bimë kanabisi, të gatshme për korrje, si dhe pajisjet e përdorura për kultivimin.
Çela dhe Horeshka u deklaruan fajtorë për veprën penale të prodhimit të drogës së Klasit B dhe u dënuan me nga 32 muaj burg secili. Gjatë operacionit policor, sipas njoftimit të policisë, u konstatua një aktivitet i konsiderueshëm i kultivimit të kanabisit brenda ndërtesës, që kërkoi ndërhyrje dhe sigurim të ambientit përpara se të hiqeshin bimët dhe pajisjet.
Rreshteri Craig Evans, duke komentuar operacionin, nënvizoi se përfshirja në tregtinë e paligjshme të drogës sjell pasoja të rënda dhe se aktivitetet e tilla lidhen shpesh edhe me forma të tjera të kriminalitetit. Ai theksoi gjithashtu se ndërtesa ku kultivohej kanabisi paraqiste rrezik për sigurinë, aq sa efektivët e policisë dhe Ekipi i Mbështetjes Territoriale duhej të siguronin fillimisht ambientet përpara se të hynin për të larguar bimët dhe pajisjet. Rreshteri Evans u shpreh: “Krimi i drogës vjen me pasoja. Këtu, këto pasoja përfshijnë dërgimin në burg”.
Pas hetimeve dhe bastisjes në Strand, policia shkroi se më shumë se 900 bimë u sekuestruan dhe u konfiskuan gjithashtu edhe pajisjet e nevojshme për kultivimin masiv. Të dy të pandehurit do të vuajnë dënimin prej 32 muajsh burgim për përfshirjen në kultivimin e paligjshëm të kanabisit në Swansea.

