Policia e Shtetit ka vendosur masa të posaçme për garantimin e rendit dhe të sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes Shqipëri–San Marino, që zhvillohet sot në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania”. Plani i masave përcakton detyrat e strukturave të Policisë, të mbështetura në përvojën e mëparshme në menaxhimin e ngjarjeve ndërkombëtare, dhe bashkëpunimin me Policinë Bashkiake të Tiranës.
Për shkak të fluksit të tifozëve, do të aplikohen kufizime qarkullimi në disa akse kryesore pranë stadiumit, nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes. Rrugët që do të jenë të bllokuara përfshijnë: Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” (nga fast food-i “Laguna” pranë urës së ish-Hotel Dajtit), Rrugën “Papa Gjon Pali II” te kryqëzimi i RTSH-së, “Dervish Hima” pranë Ambasadës së SHBA-së, “Asim Zeneli” pranë Ambasadës së SHBA-së, “Themistokli Gërmenji” në hyrje, “Ismail Qemali” te kryqëzimi i RTSH-së, “Lekë Dukagjini” pranë ish-Gardës së Republikës (koridor hyrjeje për në parkingun e caktuar vetëm për mjetet e autorizuara nga FSHF-ja) dhe “Abdyl Frashëri” pranë kryqëzimit të Librit Universitar. Në sheshin “Willson” do të devijohet lëvizja në drejtim të rrugës “Sami Frashëri” pak para përfundimit të ndeshjes. Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të mbeten të lira për lëvizje.
Para hyrjes në stadium do të kryhen kontrolle të imtësishme ndaj tifozëve për të parandaluar futjen e objekteve të ndaluara, si banderola me përmbajtje raciste, fishekzjarre, flakadanë, lëndë piroteknike, monedha metalike, çadra, çakmakë, karikues celularësh, mjete/produkte për përdorim kozmetik dhe sende të tjera të forta dhe të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.
Policia kërkon mirëkuptimin e tifozëve dhe u kërkon që të paraqiten në hyrjet e stadiumit duke filluar nga ora 18:30, pasi fluksi mund të bëjë të pamundur hyrjen pak para nisjes. Për mbarëvajtjen e aktivitetit, janë angazhuar qindra punonjës policie që do të garantojnë rendin, sigurinë publike dhe do t’u ofrojnë ndihmë e informacion, me qëllim zhvillimin pa incidente të ngjarjes.

