DVP Vlorë ka finalizuar operacionin policor “Green flat”, duke zbuluar dhe goditur një rast të kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura në Sarandë. Gjatë operacionit, janë sekuestruar 260 bimë narkotike, 26.6 kg lëndë narkotike kanabis, dhe pajisje elektrike të përdorura për kultivim dhe përpunim me qëllim shitjen.
Një 30-vjeçar, identifikuar si E. P., u arrestua në flagrancë brenda apartamentit që ai kishte përshtatur për këtë aktivitet të paligjshëm. Po ashtu, u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij, M. Q., 26 vjeç. Gjatë hetimeve është identifikuar se pajisjet e përdorura në kultivim ishin të lidhura me një furnizim të paligjshëm të energjisë elektrike.
Operacioni u realizua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Vlorë dhe Komisariati i Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë. Hetimet u bazuan në informacione të marra nga inteligjenca informative, si dhe verifikime të tjera në terren.
Njëherësh, janë proceduar penalisht katër punonjës të OSHEE Sarandë për shpërdorim detyre. Të proceduarit janë H. A., 54 vjeç, H. C., 34 vjeç, E. P., 47 vjeç, dhe F. H., 32 vjeç.
Materialet e sekuestruara përfshijnë përveç lëndëve narkotike dhe bimëve të kultivuara, 70 llamba elektrike me reflektorë, 70 siguresa elektrike, si dhe pajisje të tjera të nevojshme për veprimtari kriminale. Po ashtu, është sekuestruar një automjet dhe tre celularë.
Policia vazhdon punën për kapjen e M. Q. dhe identifikimin e individëve të tjerë që mund të jenë të involvuar në këtë aktivitet kriminal. Materialet janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.















