Policia e Shtetit reagoi pas protestës së zhvilluar më 24 tetor në Tiranë, ku pesë punonjës të forcave të rendit u plagosën gjatë sulmeve me gurë, bomba Molotov dhe mjete të tjera. Përpara zhvillimit të protestës, Policia bëri thirrje për ruajtjen e qetësisë dhe shmangien e dhunës, ndërsa Drejtori i Përgjithshëm kërkoi vetëpërmbajtje nga drejtuesit e shërbimeve dhe zbatim të parimit të proporcionalitetit në rast përballjesh me akte dhune.
Sipas njoftimit zyrtar, protesta zgjati deri në orët e mbrëmjes dhe u shtri në disa pjesë të kryeqytetit. Punonjësit e Policisë u sulmuan për orë të gjata nga persona të maskuar dhe të dhunshëm me gurë, vida e sfera metalike, shkopinj druri e metalikë, lëndë piroteknike, bomba Molotov dhe bombola gazi të lidhura me kapsolla, gjë e cila rrezikoi jetën e tyre dhe çoi në plagosjen e pesë efektivëve.
Në një rast të veçantë, një 28-vjeçar i identifikuar me inicialet E. V. pësoi dëmtim në sy. Për këtë incident, Drejtori i Përgjithshëm urdhëroi menjëherë veprime nga Drejtoria e Standardeve Profesionale për hetim të plotë dhe të paanshëm të rrethanave. Po ashtu, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria kanë nisur hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të rastit. Policia shprehu keqardhje për lëndimin e të riut dhe i uron atij shërim, si dhe dëshiroi shërim për qytetarët, gazetarët dhe punonjësit e Policisë të lënduar gjatë protestave.
Pas publikimit në media të pamjeve ku një punonjës i Forcës së Posaçme “Shqiponja” dyshohet se ka tejkaluar kompetencat dhe nuk ka respektuar proporcionalitetin, Drejtori i Përgjithshëm pezulloi nga detyra inspektorin A. K. dhe i delegoi Drejtorisë së Standardeve Profesionale nisjen e një hetimi administrativ ndaj tij.
Policia thekson se mbrojtja e jetës, shëndetit dhe sigurisë së çdo qytetari është detyrë parësore dhe se çdo rast i dyshuar për tejkalim detyre do të hetohet me paanshmëri dhe profesionalizëm. Respektimi i ligjit, proporcionaliteti në përdorimin e forcës dhe përgjegjësia individuale cilësohen si parime të panegociueshme në ushtrimin e detyrës policore.

