Skuadra e SHBA po rezulton të jetë një nga sensacionet e Botërorit. E drejtuar nga Mauricio Pochettino, ekipi amerikan befasoi me paraqitjet në fazën e grupeve dhe u kualifikua për në raundin e 1/16 të finaleve, ku do të përballet me Bosnjen, që kaloi në këtë raund si e treta e grupit B. Besimi për SHBA-në u rrit dukshëm, deri në atë shkallë që gazetarët amerikanë e konsideruan kombëtaren si favorite ndaj Bosnjes.
Gjatë një transmetimi, gazetarja e rrjetit ABC7 në Los Angeles, Abigail Velez, shkaktoi polemika dhe indinjatë në rrjetet sociale me disa komente. Ajo u shpreh: “Në raundin tjetër, skuadra e SHBA do të luajë kundër Bosnjes dhe ajo që ndodh me Bosnjen është se nuk e di se ku bie në hartë.” Ky koment u perceptua nga shumë përdorues të rrjeteve sociale si mungesë respekti ndaj një kombëtareje që eliminoi Italinë në playoff jo shumë kohë më parë. Velez shtoi gjithashtu: “Nuk di asgjë për Bosnjen dhe nuk dua ta di. Sepse SHBA u kthye dhe është më mirë se kurrë. Përgatitu Bosnje sepse nuk dëshiron që të jetë kështu.”
Pas kritikave të shumta të marra, Velez publikoi disa orë më vonë një kërkimfalje në rrjetet sociale. Në mesazhin e saj ajo e përshkroi komentin si një tentativë të gabuar për t’i dhënë pak diversion kampionatit botëror dhe pranoi se kishte shkuar shumë larg. Ajo e quajti komentin e saj të pamenduar, të pandjeshëm dhe të pavend, dhe iu drejtua me kërkimfalje popullit të Bosnjes dhe kombëtares së Bosnjes. Velez theksoi se Botërori duhet të shërbejë për të bashkuar komunitetet e të gjithë botës dhe se komenti i saj nuk reflektoi këtë shpirt. Ajo uroi të dyja skuadrat për fat të mirë në pjesën e mbetur të Botërorit.
Lajmi u transmetua nga Top Channel.
