Shkencëtarë kinezë propozojnë një plan për mbrojtjen e Tokës nga asteroidët që do të përdorte sondat hapësinore dhe një shpërthim bërthamor të kontrolluar për të shkatërruar objektin para se ai të afrohet me planetin. Projekti, i hartuar nga studiues të China Rocket Research Institute në Pekin, konsiderohet pjesë e strategjisë së Kinës për forcimin e mbrojtjes planetare. Misioni parashikohet të realizohet në dy faza: së pari një sondë do të godasë asteroidin për të hapur një krater të madh në sipërfaqen e tij; më pas një sondë e dytë do të vendoste në atë krater një bombë bërthamore që do të shpërthente asteroidin nga brenda.
Shkencëtarët vlerësojnë se shpërthimi do të kishte fuqi rreth tre megatonësh, e barabartë sipas tyre me afërsisht 200 bomba atomike të Hiroshimës. Ata argumentojnë se kjo metodë do të ishte më efektive për asteroidët me përmasa të mëdha ose për ata që zbulohen vetëm pak kohë para se të afrohen me Tokën. Sipas raportimit, projekti vjen pas misionit DART të NASA-s në vitin 2022, kur një sondë qëllimisht u përplas me asteroidin Dimorphos për të ndryshuar trajektoren e tij; ky mision arriti të ndryshonte shpejtësinë e asteroidit me rreth 2,7 milimetra në sekondë, duke treguar se devijimi i një objekti hapësinor është teknikisht i mundur. Megjithatë, studiuesit kinezë shprehen se metoda e devijimit nuk do të ishte e mjaftueshme për asteroidë shumë më të mëdhenj ose për objekte të zbuluara vonë, duke propozuar shpërthimin bërthamor si alternativën më efektive në raste të tilla.
Vitet e fundit Kina ka rritur investimet në programet e mbrojtjes nga asteroidët. Në fund të qershorit autoritetet kineze prezantuan planet për krijimin e një rrjeti kombëtar të paralajmërimit të hershëm për asteroidët. Që prej vitit 2018 Kina është pjesë e Rrjetit Ndërkombëtar të Paralajmërimit për Asteroidët (IAWN) dhe Grupit Këshillimor për Planifikimin e Misioneve Hapësinore (SMPAG). Në vitin 2022 u krijua gjithashtu Laboratori për Eksplorimin e Hapësirës së Thellë (DSEL), i drejtuar nga inxhinieri hapësinor Wu Weiren, një nga arkitektët kryesorë të programit kinez të eksplorimit të Hënës.

