Vetëm pak më shumë se një javë para mbylljes së merkatos së verës, te Interi mbizotëron qetësi relative, por drejtuesit pritet të jenë aktivë deri në ditën e fundit. Prioritet i klubit është të sistemohen dy lojtarë që nuk bëjnë pjesë në planet e trajnerit Cristian Chivu për sezonin e ri: Kristjan Asllani dhe Yanis Massolin. Për Asllanin, pista drejt Monzës është ftohur së fundmi, ndërsa për Massolin interesimi mbetet i hapur; francezi kërkon më shumë hapësirë për të luajtur, por nuk dëshiron të zbresë në një kategori më të ulët.
Presidenti Beppe Marotta ka lënë të hapur mundësinë për një përforcim të fundit nëse shfaqet një mundësi të përshtatshme në treg. Drejtuesit kërkojnë një lojtar që t’i përshtatet projektit të Chivut, veçanërisht në repartin ofensiv, sepse trajneri rumun ka kërkuar një futbollist me karakteristika të ndryshme nga ata aktualë. Në këtë kontekst janë përmendur disa emra që luajnë në Premier League, si Federico Chiesa, Gabriel Jesus dhe Gabriel Martinelli, por deri tani nuk ka një objektiv të përcaktuar qartë dhe nuk përjashtohet mundësia që klubi të ketë një tjetër emër të mbajtur sekret.
Në një situatë të ngjashme ndodhet edhe sulmuesi Luis Henrique, i cili ishte përfolur për një largim drejt Romës, por tashmë mund të mbetet në Milano. Chivu i dha minuta në ndeshjen ndaj Monzës, duke treguar se e konsideron pjesë të rëndësishme të skuadrës nëse nuk gjendet një zgjidhje në merkato. Interi do ta lejonte largimin e Henrique vetëm në rast të një transferimi të përhershëm ose huazimi me detyrim blerjeje; realizimi i një të tillë lëvizjeje do të jepte më shumë hapësirë financiare për një investim të fundit në sulm.
Me mbylljen e merkatos që po afrohet, ditët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e Asllanit dhe për mundësinë e një përforcimi të ri sulmues te Interi.

