Dy prokurorë kanë nisur me iniciativën e tyre hetimet për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Kryerja e veprimeve arbitrare”, ku dyshohen oficerë të Policisë së Shtetit, pas konfliktit gjatë të cilit u plagos 28-vjeçari Erjon Vishkulli. Në kuadër të hetimeve janë administruar rreth 20 kartela mjekësore të personave të dëmtuar, mes tyre edhe ajo e 28-vjeçarit.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, mëson se Prokuroria pritet të dërgojë në Itali një letër-porosi për të siguruar materialin që do të nxirret nga syri i Erjon Vishkullit, si provë, për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një plumb gome apo material tjetër. Për këtë, prokurorët kanë sekuestruar kamerat e sigurisë në Bankën e Shqipërisë dhe kartelën mjekësore të 28-vjeçarit pranë Spitalit të Traumës, si dhe po kryejnë veprime të tjera hetimore që bazohen te Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.
Si pjesë e hetimeve është administruar edhe lista me emrat e oficerëve të FNSH-së që rezultonin të plan-vendosur të shtunën pranë godinave të Bankës së Shqipërisë, selisë së Partisë Socialiste dhe Ministrisë së Bujqësisë. Hetimet synojnë të përcaktojnë rolin dhe veprimet e forcave policore gjatë ngjarjeve.
Ndërkohë, dy grupe të tjera prokurorësh po hetojnë për tejkalim të detyrës nga policia gjatë protestave disaditore në Tiranë. Janë sekuestruar 20 kartela mjekësore dhe është kërkuar rregullorja mbi mënyrën e veprimit të policisë në rastet e protestave. Po hetohen për veprime arbitrare edhe plagosja e Ledion Ballës, të cilit iu thye këmba, rrahja e disa protestuesve dhe dëmtimi i një të riu që rrëzohet përtokë nga një oficer me skafandër.
Njëherazi, disa grupe prokurorësh kanë përfaqësuar akuzën për afro 200 të arrestuar gjatë dy javëve të protestave; këta janë paraqitur për masa sigurie dhe janë nën hetim, mes të tjerash, edhe për sulm ndaj institucioneve dhe dëmtim të pronës publike.

