Përshkallëzohet përplasja mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme, me goditje dhe kundërgoditje që shtrihen në disa vende dhe në Ngushticën e Hormuzit. Ushtria iraniane njoftoi se ka goditur me raketa bazën amerikane Sheikh Isa në Bahrein, duke shkaktuar dëmtime në një depo karburanti dhe në zona ku qëndrojnë avionët luftarakë amerikanë. Autoritetet lokale raportojnë gjithashtu sulme të reja iraniane në Kuvajt dhe Bahrein.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se ka përfunduar natën e shtatë radhazi të sulmeve ajrore kundër objektivave iraniane, duke thënë se janë goditur qendra vëzhgimi, infrastruktura logjistike, depo nëntokësore armësh dhe kapacitete detare. CENTCOM përmend që operacionet ajrore kanë qenë të njëpasnjëshme dhe se vijojnë goditjet ndaj objekteve ushtarake të lidhura me Iranin. Ndërkohë, raportohet se të paktën katër ushtarë amerikanë janë plagosur gjatë sulmeve iraniane ndaj bazave amerikane në Jordani; gjendja e tyre nuk është bërë publike.
Situata në Gjirin e Hormuzit është ashpërsuar sërish. Garda Revolucionare Islamike e Iranit pretendojnë se kanë ndaluar disa anije cisternë që tentuan të kalonin ngushticën dhe më parë thanë se dy anije u përfshinë nga flakët gjatë kalimit në një zonë të minuar. Këto deklarata janë kundërshtuar nga Komanda Qendrore amerikane, e cila i ka cilësuar si të rreme disa nga pretendimet e Teheranit.
E premtja shënoi një javë me sulme të njëpasnjëshme ajrore amerikane kundër Iranit; këto sulme u ripërsëritën pas dështimit të bisedimeve të paqes mes dy vendeve. Tensionet rreth së ardhmes së Ngushticës së Hormuzit kanë vështirësuar përpjekjet për arritjen e një armëpushimi të qëndrueshëm. Garda Revolucionare deklaroi se rruga detare strategjike është mbyllur, por Komanda Qendrore e Ushtrisë amerikane kundërshton këtë pretendim dhe thotë se forcat amerikane vazhdojnë të shoqërojnë trafikun tregtar në këtë korridor të rëndësishëm për transportin global të energjisë.

