Edhe kjo verë shërbeu si provë për kapacitetin e shtetit dhe qytetarëve përballë zjarreve. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile i tha gazetarit të Top Channel, Anila Hoxha, se që prej 1 qershorit janë regjistruar 50 vatra zjarri masive që kanë përfshirë qindra hektarë, ndërsa menaxhimi i tyre është bërë në nivel kombëtar. Dëmi i vlerësuar nga zjarret në fondin e pyjeve dhe kullotave gjatë vitit të kaluar kap 77 milionë euro.
Institucionet kanë dy reagime kryesore për t’u përballur me fenomenin: shuarja e zjarreve dhe ndëshkimi penal. Kodi Penal parashikon dënime deri në 20 vite burg për zjarrvënien e pyjeve me dashje kur shkaktohet dëmi në jetë njerëzish ose dëmtimi i zonave të mbrojtura. Megjithatë, përtej arrestimeve sezonale, nuk ka të dhëna të qarta mbi numrin e gjobave të vendosura nga bashkitë për shkelje të rregullave të mbrojtjes nga zjarri.
Efektiviteti i drejtësisë mjedisore vihet në diskutim nga shifrat e hetimeve: sipas të dhënave të Prokurorisë së Përgjithshme, bërë publike nga avokati Lorenc Danaj, gjatë pesë viteve janë hetuar 211 çështje lidhur me zjarrvëniet, por vetëm 18 persona janë gjetur fajtorë. Shumica e çështjeve janë pushuar ose pezulluar për mungesë provash dhe faktesh, sipas të njëjtave të dhëna.
Me hapjen e Kapitullit 27 për mjedisin, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka urdhëruar Gjykatën e Apelit që të shqyrtojë me prioritet çështjet mjedisore, përfshirë dosjet e zjarrvënies. Megjithatë, të dhënat e deritanishme dhe vazhdimi i zjarreve sezonale ngrejnë pikëpyetje mbi efektivitetin e masave ligjore dhe zbatimin e drejtësisë mjedisore, ndërsa dëmet ndaj pyjeve, kullotave dhe zonave të mbrojtura mbeten të konsiderueshme.

