Pesë shtetas shqiptarë, përfshirë tre të mitur dhe një grua 79-vjeçare, u riatdhesuan nga Siria dhe mbërritën në Rinas në orën 01:20 si pjesë e përpjekjeve të institucioneve shqiptare për kthimin e qytetarëve nga zonat e konfliktit dhe kampet në Siri. Në pritjen në aeroport ishin Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, Koordinatorja Kombëtare kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Lejdi Dervishi, përfaqësues të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe përfaqësues të strukturave të tjera shtetërore të përfshira në proces.
Ministri Lamallari publikoi në rrjetet sociale pamje nga operacioni dhe mesazhin “Mirë se u kthyet në shtëpi!”, duke përshëndetur kthimin e të riatdhesuarve. Mes tyre është edhe shtetasja H.T., 79 vjeçe, e cila kishte shkuar në Siri pas humbjes së djalit të saj që ishte larguar për t’u bashkuar me formacione të ISIS-it. Sipas njoftimit, H.T. kishte shkuar me qëllim marrjen dhe kujdesin për nipërit e saj dhe, pas rënies së strukturave territoriale të ISIS-it, kishte qëndruar në kampin Al-Hol në kushte të vështira jetese, duke kujdesur për fëmijë të mitur, përfshirë dy fëmijë jetimë që ishin nën kujdesin e saj.
Lamallari përgëzoi përfaqësuesit e të gjitha institucioneve të përfshira në Task-Forcën e ngritur me Urdhër të Kryeministrit për përmbushjen e masave dhe koordinimin e nevojshëm për riatdhesimin. Procesi i riatdhesimit po vijon përmes bashkëpunimit ndërinstitucional, me angazhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministrisë së Arsimit.
Ministri konfirmoi se institucionet shqiptare do të vazhdojnë punën për kthimin e të gjithë shtetasve shqiptarë që ndodhen ende në Siri, duke garantuar respektimin e procedurave ligjore dhe të sigurisë, si dhe mbrojtjen dhe trajtimin e përshtatshëm të të miturve. (Top Channel)

