TIRANË — Tensionet e brendshme në Partinë Socialiste dhe fati i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kanë kaluar në një tjetër stad. Në një intervistë ekskluzive për podcastin “Albania Newscast” me gazetarin dhe moderatorin Arbër Hitaj, avokati dhe politikani Plarent Ndreca ka hedhur akuza të forta ndaj drejtimit të partisë dhe qeverisë, duke paralajmëruar se përballja ligjore mund të përfshijë nivelet më të larta të ekzekutivit.
I pyetur drejtpërdrejt nëse do të ketë hapa ligjorë, përfshirë padi apo kallëzime penale ndaj ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, dhe kryeministrit Edi Rama, Ndreca u përgjigj se një opsion i tillë mbetet i hapur:
“Do të shohim se si do të reagojë grupi parlamentar i Partisë Socialiste në lidhje me kërkesën e bërë nga zoti Veliaj. Pra, nuk përjashtohet si mundësi. Faktet janë aty, të dhënat janë aty… ne jemi gati që publikisht ta paraqesim”, u shpreh Ndreca.
