Kryeministrja italiane Giorgia Meloni reagoi ashpër ndaj deklaratave të ish-presidentit amerikan Donald Trump, duke i cilësuar ato si “sulme të vazhdueshme dhe të paprovokuara pa asnjë kuptim”. Ajo hodhi poshtë pretendimin se popullariteti i saj varet nga marrëdhënia me Trumpin, dhe theksoi se mbështetja që gëzon në Itali lidhet me mbrojtjen e interesave kombëtare të vendit. “Popullariteti im varet nga aftësia ime për të mbrojtur interesin kombëtar italian dhe kjo është pikërisht ajo që kam bërë gjithmonë”, deklaroi Meloni.
Në reagimin e saj kryeministrja u ndal edhe te çështja e përdorimit të bazave ushtarake amerikane në Itali, duke theksuar se ato funksionojnë mbi bazën e marrëveshjeve të respektuara nga të dyja palët dhe se këto marrëveshje nuk mund të shkelen. Meloni nënvizoi sërish sovranitetin e vendit me fjalët: “Italia mbetet një shtet sovran”.
Duke iu drejtuar drejtpërdrejt Trumpit, ajo i tha se popullariteti i saj nuk është shqetësimi i tij dhe i sugjeroi që të përqendrohet te popullariteti i tij: “Popullariteti im nuk është shqetësimi yt. Të sugjeroj të përqendrohesh te i yti”.
Reagimi i Melonit erdhi pas një deklarate të Trumpit, në të cilën ai kishte pretenduar se kryeministrja e kishte kërkuar vazhdimisht një fotografi me të gjatë samitit G7 në Francë dhe tha se ajo po ecën keq në Itali me nivelin e popullaritetit të saj. Në deklaratën e tij Trump akuzoi Melonin se i kishte mohuar SHBA-së një vendim që, sipas tij, mbron Italinë, dhe se kur erdhi puna për të ndaluar Iranin të sigurojë ose zhvillojë armë bërthamore, ajo nuk lejonte përdorimin e pistave dhe aeroporteve italiane.
Trump gjithashtu deklaroi se “Tani, pasi SHBA mposhti ushtarakisht Iranin, ajo dëshiron të bëhet sërish mike me mua për të rritur popullaritetin e saj. Jo, faleminderit!” Këto fjalë të ish-presidentit shkaktuan reagimin e ashpër të kryeministres italiane, e cila i përgjigj duke mohuar lidhjen mes mbështetjes në vend dhe marrëdhënieve personale me Trumpin.

