Rëndësia e përkthimit dhe interpretimit në një botë me takime të përditshme ndërgjuhësore dhe kulturore u theksua gjatë një paneli diskutimi që organizoi Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit. Pjesëmarrësit nënvizuan rolin e përkthimit si urë komunikimi, veçanërisht për letërsinë e përkthyer, si dhe domosdoshmërinë e njohjes së mirë të gjuhës shqipe dhe të informacionit të vazhdueshëm për realizimin e përkthimeve cilësore.
Diana Çuli e përshkroi përkthimin si “një urë komunikimi” dhe theksoi veçoritë kulturore të letërsisë së përkthyer. Aida Baro shtoi se “përkthyesi duhet të jetë i informuar mbi atë që përkthen, të njohë autorin, të njohë kontekstin historik për të cilin flet vepra. Të dijë jo vetëm gjuhën e huaj, por edhe gjuhën shqipe.” Përkthyesit vunë theksin tek nevoja për njohje të thellë gjuhësore dhe përditësim profesional për të ruajtur saktësinë e kuptimeve, tonit dhe elementeve kulturore të veprave.
Pjesëmarrësit shprehën qëndrime të kujdesshme ndaj zhvillimit të Inteligjencës Artificiale. Ata nuk e shohin AI-në si kërcënim të menjëhershëm për përkthyesin në Shqipëri, por paralajmërojnë për përdorimin e kujdesshëm të saj. Aida Baro deklaroi se “AI mund të jetë e mirë për përkthime dokumentash, po letërsia është tjetër gjë.” Diana Çuli vuri në dukje se teknologjia mund të përdoret për ndihmë të vogël që shpejton kohën, por duhet verifikuar sepse “AI bën edhe gabime.”
Në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja u prezantua vepra e Diana Kastratit, Arti i Papërsosurisë: Studime, reflektime e qasje mbi trininë autor, proces përkthimi e përkthyes letrar. Kastrati shpjegoi se blloku i parë i librit është studimor dhe fokusohet te shekulli XX dhe XXI dhe metodologjia e përkthimit, ndërsa blloku i dytë përmban përvojat personale të disa prej librave që ka përkthyer. Titulli “arti i papërsosmërisë” lidhet me përvojën njerëzore të përkthimit, sipas autores.
Përkthyesit u shprehën se duhet të tejkalojnë sfidat e kohës për të siguruar përkthime cilësore, me qëllim përcjelljen e saktë të kuptimit, tonit dhe elementeve kulturore të veprave.

