Greqia është vendi i dytë në Europë pas Italisë për përhapjen e virusit të Nilit Perëndimor, me numër në rritje të të infektuarve. Sipas autoriteteve, deri dje janë regjistruar 157 raste dhe 13 viktima. Vetëm gjatë javës së fundit u konfirmuan 47 raste të reja dhe 4 viktima, ndërsa vatra kryesore këtë verë është Atika, veçanërisht pjesa lindore e saj, ku autoritetet kanë intensifikuar spërkatjet kundër mushkonjave.
Raste të shumta janë raportuar në zonat e Markopulos dhe Spatës, dhe infeksione të reja janë konfirmuar edhe në bashki të tjera të Atikës, si dhe në veri të Greqisë. Sipas Organizatës Kombëtare të Shëndetit Publik, 42 pacientë ndodhen aktualisht të shtruar në spitale, nga të cilët 23 janë në terapi intensive ose në njësitë e kujdesit të shtuar.
Virusi transmetohet te njerëzit nga mushkonjat, të cilat infektohen pasi pickojnë shpendë që janë bartës të tij. Epidemiologët njoftojnë se shumica e të infektuarve nuk do ta kuptojnë se e kanë kaluar virusin, por rreth një në 150 persona mund të zhvillojë komplikacione të rënda neurologjike. Simptomat që kërkojnë vlerësim të menjëhershëm mjekësor përfshijnë temperaturë të lartë, dhimbje të fortë të kokës, përgjumje, konvulsione dhe paralizë.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të zbatojnë këshillat e mjekëve për parandalim dhe kujdes, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se sezoni i virusit ende nuk ka përfunduar. Masat e marra përfshijnë spërkatjet kundër mushkonjave në zonat e prekura, me përqendrim në pjesën lindore të Atikës, ndërkohë që monitorimi i rasteve dhe trajtimi i të shtruarve vazhdon sipas njoftimeve zyrtare. Top Channel

