Gjashtë aksidente u shënuan këtë të hënë gushti, me pasojë në total 9 të plagosur dhe një viktimë. Në mesditë një përplasje e rëndë ndodhi në aksin rrugor Fier–Lushnjë, pranë fshatit Vajkan, ku dy automjete u përplasën dhe përfunduan në kanalin anësor të autostradës. Katër persona u plagosën dhe u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fierit.
Pak minuta më pas u regjistrua një aksident zinxhir në autostradën Durrës–Tiranë, pak para Sukthit, në drejtim të Tiranës; në të u përfshinë shtatë automjete. Në këtë rast u shënuan vetëm dëme materiale, por formuan radhë të gjata automjetesh.
Rreth orës 13:30 në hyrje të fshatit Stan–Karbunarë, në aksin e vjetër rrugor Lushnje–Berat, një mjet me të cilin udhëtonte një 28-vjeçare u përplas me barrierat anësore të një ure; pas disa rrotullimesh mjeti përfundoi i kthyer në njërën anë në mes të rrugës. Drejtuesja u dërgua me urgjencë në spitalin e Lushnjës për ndihmë mjekësore.
Në lagjen Sheq i Madh në Fier një aksident tjetër la të plagosur drejtuesin e një motomjeti, i cili u përplas me një automjet.
Në orët e mbrëmjes u raportua një viktimë: një 20-vjeçar, identifikuar si Antonio Mateli, humbi jetën pasi mjeti ku ishte pasagjer doli nga rruga dhe u aksidentua. Policia njofton se rreth orës 18:10, në rrugën e Plazhit në zonën e Lagunës, Ksamil, një automjet tip “Benz” me drejtues shtetasin A. Gj., rreth 22 vjeç, ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga. Pasagjeri A. M., rreth 20 vjeç, gjeti vdekjen në vendngjarje, ndërsa drejtuesi është transportuar në spital dhe sipas informacionit paraprak ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pak pas orës 19:30, tre persona të tjerë mbetën të plagosur në aksin nacional Elbasan–Cërrik, ku u përplasën një automjet dhe një furgon.
