Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) ka përfunduar fazën e aplikimeve për 40 pozicione hetuesish, me një interes të lartë nga kandidatët. Në përfundim të afatit janë regjistruar 979 aplikime. Tani nis faza e verifikimit paraprak të dokumentacionit dhe përshtatshmërisë së çdo kandidati me kriteret e përcaktuara për vijimin e procesit të rekrutimit.
Sipas njoftimit zyrtar, verifikimi do të kryhet në përputhje me ligjin nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, Rregulloren për përcaktimin e procedurave të rekrutimit të hetuesve të BKH-së, dhe me kushtet e vendosura në njoftimin publik për hapjen e procedurës. Pas këtij verifikimi paraprak, aplikantët që plotësojnë kriteret do të kualifikohen për fazat e mëtejshme.
Fazat pasuese përfshijnë testime dhe vlerësime, si dhe procedura verifikimi të integritetit dhe kushteve të sigurisë, të parashikuara në rregullore. Kalimi nga një fazë në tjetrën do të bëhet vetëm pasi aplikantët të përmbushin kriteret dhe standardet përkatëse të çdo faze. Aplikantët do të njoftohen për rezultatet e verifikimit paraprak dhe më tej për datën, orën, vendin dhe mënyrën e zhvillimit të fazave të ardhshme përmes kanaleve të komunikimit të përcaktuara në dokumentacionin e procedurës.
BKH thekson vlerësimin e interesit të treguar dhe falënderon të gjithë aplikantët për pjesëmarrjen. Institucioni deklaron angazhimin për zhvillimin e një procesi rekrutimi transparent, të paanshëm, konkurrues dhe të bazuar në meritë, integritet dhe aftësi profesionale, duke garantuar trajtim të barabartë për të gjithë kandidatët.

