Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg” për katër shtetas: Mirsim Jella, Fiqiri Lika, Ferdinand Shtëmbari dhe Adriatik Shtëmbari, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ndërtim i paligjshëm” të parashikuar nga neni 199/a/4 e 25 i Kodit Penal. Hetimet zhvillohen në kuadër të procedimit penal nr.3193, datë 08.05.2026.
Sipas materialeve hetimore, të pandehurit kanë tejkaluar parametrat e lejes së ndërtimit në një objekt në Rrugën “Llukë Kaçaj”, mbrapa “Spitalit Amerikan 2”, duke kryer punime jashtë kushteve të miratuara në projektin përkatës. Gjatë aktivitetit ndërtimor është konstatuar kryerja e veprimeve në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, përfshirë realizimin e shitjeve në mënyrë informale me qëllim shmangien e detyrimeve fiskale.
Analiza e rrethanave dhe kohëzgjatjes së veprimtarisë tregon se objekti është ndërtuar gjatë një periudhe disa vjeçare, gjatë së cilës shkeljet kanë qenë të vazhdueshme dhe të dukshme në terren. Nga hetimi rezulton gjithashtu se nuk janë marrë masa administrative apo ndëshkuese nga strukturat përgjegjëse të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) dhe Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT). Në këto kushte, Prokuroria ngrit dyshimin e arsyeshëm se punonjës apo funksionarë të strukturave të inspektimit, të cilët kanë pasur detyrimin ligjor për të kontrolluar, evidentuar dhe ndaluar këto shkelje, nuk kanë vepruar në përputhje me ligjin.
Dokumentacioni tekniko-ligjor tregon se për një tjetër pallat leja e ndërtimit parashikonte dy kate nën tokë dhe nëntë kate mbi tokë, por kqyrja e objektit në ndërtim evidentoi ndërtimin e dy kateve shtesë, duke e bërë objektin me 11 kate mbi tokë. Referuar të dhënave të administruara nga IMT Bashkia Tiranë, është konstatuar se janë ndërtuar 2,550 m2 më shumë se sa parashikohej në lejen e ndërtimit (kati 10 dhe 11), në tejkalim të parametrave të lejuar.
Nga hetimi dhe dokumentacioni i siguruar, Prokuroria vlerëson se janë provuar elementët për konfigurimin e veprës penale “Ndërtimi i paligjshëm” për të pandehurit M.J., F.L., F. Sh. dhe A. Sh. Duke u bazuar në këto gjetje dhe në kriteret ligjore të përcaktuara nga nenet 228, 229 dhe 230 të Kodit të Procedurës Penale, u arsyetua nevoja e caktimit të masës së sigurisë “Arrest në burg”, pasi nuk rezultojnë shkaqe padënueshmërie ose shuarje të veprës penale apo të dënimit.

