Shtëpia e Bardhë konfirmon se presidenti amerikan Donald Trump do të zhvillojë javën e ardhshme një takim trepalësh me liderin kinez Xi Jinping dhe presidentin rus Vladimir Putin, në kuadër të samitit të APEC në Kinë. Sipas zyrtarëve, kjo do të jetë hera e parë që liderët e tri fuqive të mbajnë një tryezë të këtij lloji, me fokus kryesor mospërhapjen dhe reduktimin e armëve bërthamore.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Olivia Wales, deklaroi se Trump ka bërë të qartë se një prej temave kryesore të diskutimit do të jetë reduktimi i arsenalit bërthamor në shkallë globale, duke thënë se “Presidenti beson se përhapja e armëve bërthamore është jashtëzakonisht e rrezikshme”. Takimi vjen në një moment të ndjeshëm për sigurinë ndërkombëtare, pasi traktati i fundit për kontrollin e armëve bërthamore mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë skadoi në shkurt, ndërsa Kina po zgjeron me ritme të shpejta arsenalin e saj bërthamor, çka shton shqetësimet për ekuilibrat strategjikë ndërmjet fuqive.
Zyrtarët amerikanë kanë ulur pritshmëritë për arritjen e një marrëveshjeje konkrete gjatë kësaj tryeze. Një zyrtar i lartë i administratës bëri të ditur se nuk pritet të arrihet menjëherë ndonjë marrëveshje për çështjet bërthamore; takimi shihet si pikënisje për negociata të mëtejshme dhe si biseda e parë në nivel liderësh mes këtyre vendeve, me synimin hapjen e një dialogu që mund të sjellë rezultate konkrete në të ardhmen.
Përveç çështjeve bërthamore, liderët pritet të diskutojnë edhe zhvillimet në Iran. Shtëpia e Bardhë bëri me dije gjithashtu se sipërmarrësi Elon Musk pritet të jetë pjesë e delegacionit që do të shoqërojë Trump gjatë vizitës në Kinë, por nuk pritet të marrë pjesë në takimin trepalësh. Deri tani, Pekini dhe Moska nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht pjesëmarrjen në këtë takim.
Nëse realizohet, takimi Trump-Xi-Putin do të përbëjë një zhvillim të rëndësishëm diplomatik, në një kohë kur marrëdhëniet mes fuqive të mëdha dhe kontrolli i armëve bërthamore mbeten sfida kryesore të rendit ndërkombëtar.
