Foto të pabotuara dhe një koleksion i rrallë sendesh personale të Marilyn Monroe do të dalin në ankand më 1 qershor, në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së ikonës së Hollivudit. Ankandin e organizon shtëpia Julien’s Auctions dhe do të përfshijë mes 350-400 artikujsh që lidhen me jetën dhe karrierën e Monroe-s, përfshirë fotografi të papublikuara, dokumente personale, veshje dhe objekte të tjera personale.
Ndër artikujt e përmendur janë receta e shkruar me dorë për mbushjen e gjelit të detit për darkën e Falënderimeve, një fustan mbrëmjeje Jeanne Lanvin, një kontratë të vitit 1949 me agjencinë William Morris dhe karta e anëtarësimit në Screen Actors Guild nga viti 1956. Një fotografi e realizuar në vitin 1962 nga Alan Grant, vetëm pak javë para vdekjes së aktores, konsiderohet një nga artikujt më të veçantë, ndërsa pjesë e ankandit do të jetë edhe buzëkuqi Max Factor që Monroe përdori gjatë xhirimeve të filmit të saj të fundit, Something’s Got to Give, i cili mbeti i papërfunduar.
Ankandi është promovuar edhe në partneritet me Turner Classic Movies, sipas njoftimeve të shtëpisë së ankandeve. Atraksioni kryesor pritet të jetë dera e gjelbër e shtëpisë së saj në Los Angeles, vendi ku Monroe u gjet e vdekur më 5 gusht 1962 në moshën 36-vjeçare.
Bashkëthemeluesi i Julien’s Auctions, Martin Nolan, u shpreh se ndikimi i Marilyn Monroe vazhdon të mbetet i jashtëzakonshëm edhe dekada pas vdekjes së saj: “Pati jetë para Marilyn Monroe dhe jetë pas saj, por ajo mbetet një yll i pakrahasueshëm, ndikimi i së cilës vazhdon të jehojë edhe sot.” Organizatorët presin që ankandi të tërheqë koleksionistë dhe adhurues nga e gjithë bota, duke rikthyer vëmendjen tek trashëgimia e aktores dhe objektet që lidhen me karrierën dhe jetën e saj.

