Artistët e punësuar në institucionet publike kulturore mund të përfitojnë një trajtim financiar pas ndërprerjes së veprimtarisë së tyre artistike skenike, parashikon një projektligj i hedhur në konsultim publik. Sipas draftit, kategori të caktuara do të fitojnë të drejtën në moshat specifike: akrobatët, balerinët dhe valltarët në moshën 47-vjeçare, ndërsa këngëtarët solistë dhe anëtarët e korit në moshën 57-vjeçare.
Trajtimi financiar propozohet të jetë 70 për qind e pagës bruto mujore për një periudhë prej pesë vjetësh, dhe më pas do të ulet në 50 për qind deri në datën e lindjes së të drejtës për pensionin e pleqërisë, pensionin e invaliditetit ose pensionin familjar. Projektligji përshkruhet si mekanizëm për të mbuluar periudhën ndërmjet përfundimit të karrierës aktive në skenë dhe përfitimit të pensionit, duke marrë parasysh natyrën fizike dhe vokale të këtyre profesioneve.
Drafti gjithashtu parashikon mundësinë që artistët të angazhohen, me kërkesë të institucionit dhe pa shpërblim shtesë, deri në 250 orë në vit kalendarik në veprimtari trajnuese, promovuese, artistike dhe kulturore. Kjo synon të lejojë përfshirjen e tyre në aktivitete që ruajnë dhe transmetojnë përvojën profesionale pas përfundimit të veprimtarisë skenike të rregullt.
Projektligji pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2027 dhe buxheti i shtetit parashikon një kosto rreth 50.8 milionë lekë për periudhën 2027–2029. Sipas përshkrimit në draft, trajtimi financiar është një kërkesë e vazhdueshme e artistëve dhe synon të ofrojë më shumë siguri ekonomike dhe kushte për ruajtjen dhe transmetimin e përvojës së tyre profesionale edhe pas ndërprerjes së veprimtarisë skenike.

