Për 100 qytetarë që marrin pensione kontribuojnë 118 individë, raport i cili mbeti pothuajse i njëjtë në 2025 krahasuar me një vit më parë. Emigrimi i fuqisë punëtore, numri i ulët i individëve që derdhin kontribute, punësimi në të zezë dhe nëndeklarimi i pagave shihen si faktorë që mbajnë të ngushtë diferencën mes kontribuuesve dhe përfituesve në skemën e pensioneve.
Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore për vitin 2025, u regjistruan 754,981 pensionistë përfitues dhe 870,964 të punësuar që paguan sigurimet shoqërore. Krahasimi vjetor tregon se 16,939 më shumë qytetarë kontribuan në skemë në 2024, ndërsa numri i pensionistëve u rrit me 33,583.
Të ardhurat e mbledhura nga kontribuuesit në skemë arritën 2 miliardë euro, ndërsa Instituti i Sigurimeve Shoqërore shpenzoi në total 2.14 miliardë euro. Deficiti i krijuar nga kjo diferencë u mbulua nga buxheti i shtetit në vlerën e 106 milionë eurove. Për krahasim, në 2024 deficiti ishte 135 milionë euro, që bëri të nevojshme një shpenzim shtetëror për pensionet 29 milionë euro më të lartë atë vit sesa në 2025.
Pensioni mesatar në zonat urbane u regjistrua në 212 euro për vitin e fundit, me një rritje prej vetëm 16 euro nga 2024; ndërsa pensioni mesatar rural ishte 125 euro, ose 7 euro më shumë se një vit më parë.
Raporti i publikuar pasqyron një situatë ku shkalla e mbulimit të përfitimeve nga kontribuesit është e kufizuar, duke bërë të domosdoshëm mbulimin pjesor nga buxheti i shtetit për të financuar shpenzimet totale të pensioneve.

