Elbasani u eliminua nga kompeticionet evropiane në mënyrën më dramatike, duke dështuar në raundin e parë kualifikues të Conference League pas penaltive kundër BATE Borisov. Skuadra nënkampione e vendit, në pjesëmarrjen e saj të parë në turne të tillë, kishte barazuar 1-1 në ndeshjen e parë në Shqipëri, dhe udhëtoi drejt Azerbajxhanit për ndeshjen e dytë, me bindjen se do të kalonte më tej, pasi përballë ishte një ekip bjellorus që rrezikonte rënien nga kategoria në kampionatin vendas. Gjatë 120 minutave të zhvilluara në takimin vendimtar, skuadra e trajnerit Gvozdenovic ofroi shumë pak nga sa pritej; koha e rregullt dhe ajo shtesë u mbyllën 0-0, ndërsa portieri Aleksovski bëri disa ndërhyrje vendimtare për të mbajtur ekipin në lojë dhe për të mos i dhënë avantazh kundërshtarit. Pas përfundimit të kohës shtesë, ndeshja u vendos në serinë e gjuajtjeve nga pika e 11-metërshit. Për Elbasanin situata po shkonte mirë deri në momentin kur Karrica gaboi gjuajtjen e pestë, një penallti që mund t’i siguronte kualifikimin skuadrës shqiptare. BATE Borisov mori më pas avantazhin dhe në vazhdim edhe Epito gaboi, duke goditur tranversën. Seria e penalltive u mbyll 5-4 në favor të skuadrës bjelloruse, duke i dhënë fund me shpejtësi ëndrrës së Elbasanit për t’u kualifikuar në turin tjetër. Elbasani, megjithë pritshmëritë dhe faktin se luajti për herë të parë në një turne të tillë, u ndal në prag të fazave pas ndeshjeve të ngushta dhe penalltive vendimtare, ndërsa BATE vijon rrugëtimin e vet në garë. Top Channel.

