Komisionerja për Zgjerimin në BE, Marta Kos, vlerësoi se Shqipëria është një nga vendet pararojë në procesin e zgjerimit dhe ka shënuar përparim të rëndësishëm në mbrojtjen e mjedisit. Ajo theksoi se ky progres është “i njohur dhe i vlefshëm”, por nënvizoi se çdo projekt zhvillimor duhet të jetë në përputhje të plotë me kuadrin ligjor dhe standardet e Bashkimit Evropian, veçanërisht kapitullin 27 të negociatave për mjedisin. Kos u shpreh se është e rëndësishme të punohet mbi bazën e fakteve dhe se Komisioni Evropian është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare, jo vetëm me kryeministrin Edi Rama. Sipas saj, BE-ja ka marrë garanci nga qeveria shqiptare për një vlerësim të plotë të ndikimit në mjedis për projektin në Zvërnec.
Pas deklaratës së Komisioneres erdhi reagimi i Partisë Demokratike, e cila e kundërshtoi ashpër qëndrimin e saj. PD argumenton se deklarata është e bazuar në “informacione të pasakta të përcjella nga kryeministri Edi Rama” dhe se nuk pasqyron realitetin në vend. Sipas Partisë Demokratike, vlerësimet e dhëna nga Brukseli “injorojnë krizën e rëndë politike dhe sociale në Shqipëri” dhe, në vend që të ndihmojnë në gjetjen e zgjidhjeve, ato “e thellojnë më tej situatën”.
Në tekstin e reagimit zyrtar, PD shpreh shqetësim ndaj deklaratës së Komisioneres për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, duke theksuar se ajo përfaqëson informacion të rremë të paraqitur nga “miku i saj Edi” dhe se i shërben interesave të kryeministrit, jo zgjidhjes së krizës. Partia thekson se deklarata injoron krizën që, sipas saj, ka kapluar vendin dhe thekson se veprime të tilla e acaron dhe thellon më tej situatën politike. PD deklaron gjithashtu mbështetjen e plotë për pesë kërkesat e protestuesve, të cilat i konsideron kushte për zgjidhjen paqësore të krizës.
Lajmi është transmetuar nga Top Channel.

